Në Tabanoc u kap marihuanë! 130 kilogramë me vlerë 700 mijë euro, destinacion kishin Europën

TË FUNDIT

Në një kontroll rutinë, pa asnjë sinjalizim paraprak, doganierët në pikën kufitare “Tabanoc” zbuluan një sasi të madhe marihuane. Sipas analizave, droga ishte me cilësi të lartë, gjë që mund ta vërtetonte edhe ekipi i TV21 – jo nga përvoja, por për shkak të aromës tepër të fortë që ndihej në gjithë ndërtesën, edhe pse droga ishte ruajtur në bodrum. Për këtë arsye, drejtori i Doganës, Boban Nikollovski, shprehu dëshirën që droga të asgjësohet sa më shpejt.

“Këto 130 kilogramë marihuanë, në vend që të përfundonin në Bashkimin Evropian ose në rajon, do të dorëzohen në Agjencinë për Pronë të Konfiskuar. Pas përfundimit të gjyqit, ato do të digjen. Vlera e tyre arrin rreth 700 mijë euro”, raporton Goran Temenugov, gazetar.

Kontrabandisti i kapur ishte shtetas serb. Fillimisht u tha doganierëve se nuk kishte mall për doganim në furgon, por pasi u zbuluan çantat, pretendoi se përmbanin cigare dhe ofroi ryshfet. Doganierët e refuzuan ofertën, zbuluan drogën dhe policia arrestoi shoferin. Prokuroria filloi procedurë kundër tij dhe po e përgatit rastin bashkë me Doganën. Drejtoria e Doganave njoftoi se disa javë më parë kishte dhënë udhëzime për më shumë vigjilencë në pikat kufitare.

 “Diskutuam para dy-tre javësh për nevojën e kontrolleve më të kujdesshme dhe ja, këtu i kemi rezultatet e para. Bëmë përzgjedhjen që menduam se ishte e duhur për këtë periudhë. Shpresojmë të vazhdojmë me këtë efikasitet dhe falënderoj kolegët që vepruan sipas udhëzimeve të eprorëve të tyre”, u shpreh Boban Nikollovski, Drejtor i Doganës.

Nikollovski theksoi se është marrë parasysh që këto 130 kilogramë nuk janë ndonjë “karrem” për të tërhequr vëmendjen, në mënyrë që të kontrabandohen më pas sasi më të mëdha. Ai tha se kjo është një sasi e madhe që nuk sakrifikohet lehtësisht vetëm për t’u kapur.

 “Besojeni, e dimë çfarë bëjmë. Doganierët tanë janë profesionistë dhe kur kemi raste të tilla, sigurojmë çdo kalim tjetër në kufi. Po punohet, dhe po punohet cilësisht”, pohoi Boban Nikollovski, Drejtor I Doganës.

Pas përfundimit të procesit gjyqësor, droga do të digjet në një nga furrat elektrike të vendit.