Është parandaluar një tentativë për import të paligjshëm të vezëve nga Serbia, të cilat para festës së Pashkëve synonin të hynin në tregun vendas si vezë maqedonase. Bëhet fjalë për mbi 40 ton vezë të paetiketuara, të cilat janë shkatërruar në deponinë “Drisla”.
“Bazuar në informacionet operative dhe muaj të tërë monitorim profesional të aktivitetit të importuesve dhe eksportuesve vendas të vezëve, në pikën kufitare Tabanoc është zhvilluar një aksion gjatë të cilit, në kontroll të detajuar, u zbuluan mbi 572 mijë vezë të freskëta të paetiketuara, të fshehura pas paletave të para me mall të deklaruar rregullisht”, theksoi Oliver Milanov – Drejtor i AUV-së.
Në një dërgesë u gjetën 270.000, dhe në tjetrën 302.400 vezë të paetiketuara. Sipas AUV-së, kishte indikacione se këto produkte do të etiketoheshin në mënyrë të rreme dhe do të shiteshin si maqedonase, duke rrezikuar konsumatorët dhe konkurrencën e prodhuesve vendas.”
“Falë reagimit të shpejtë, profesional dhe vendimtar të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, në bashkëpunim me Doganën, është parandaluar një mashtrim i madh dhe një rrezik potencial për konsumatorët. Sasia totale prej 40 ton dhe 410 kilogram vezë është shpallur e pasigurt dhe është shkatërruar në mënyrë të sigurt në deponinë ‘Drisla”, shtoi drejtori i AUV-së, Oliver Milanov.
AUV-ja paralajmëron luftë pa kompromis kundër mashtrimeve me ushqim, me kontrolle të intensifikuara dhe veprime në terren. Për subjektet e përfshira do të merren masa ndëshkuese, ndërsa do të verifikohet edhe aktiviteti i tyre deri tani.”
