Policia e Shkodrës ka publikuar pamjet e arrestimit të Ragip Gilës, 28 vjeç, i dyshuar si autor i atentatit me dy viktima dhe dy të plagosur, që ndodhi mëngjesin e së hënës në këtë qytet.
Ai u lokalizua pranë urës së trenit, në dalje të Shkodrës, pas një ndjekjeje që përfundoi me aksidentimin e automjetit tip BMW, të cilin e përdorte për t’u arratisur. Fillimisht tentoi të largohej me makinën e vjedhur, por pas përplasjes u përpoq të fshihej në këmbë në zonën e lumit Kir, ku u neutralizua nga forcat e ndërhyrjes së shpejtë “Shqiponja”.
Gjatë arrestimit, policia sekuestroi një automatik, një pistoletë me fishek në fole, si dhe mjetet e përdorura për atentatin – maskë, skafandër dhe jelek antiplumb. Në vendngjarje u gjet edhe një shishe me benzinë 1.5 litra, që dyshohet se do të përdorej për djegien e automjetit me qëllim zhdukjen e provave.
Ragip Gila akuzohet për disa vepra penale, mes tyre: “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Vjedhja me armë”, “Shkatërrimi i pronës”, “Mbajtja pa leje e armëve” dhe “Vjedhja”. Përveç makinës së vjedhur, policia sekuestroi edhe një motomjet pa targa dhe pa numër shasie, të braktisur në vendin e ngjarjes.
