Kryetari i Parlamentit serb, Ivica Daçiq, ministri i Punëve të Brendshme Aleksandar Vulin dhe sekretari shtetëror në Ministrinë e Shëndetësisë, Mirsad Gjerlek e morën vaksinën ruse për koronavirus Sputnik V në Institutin e Virusologjisë, vaksinave dhe serumeve Torlak në Beograd.
Siç njofton korrespondenti i MIA-s nga Beogradi, Daçiq deklaroi se ai dhe ministri Aleksandar Vulin janë vaksinuar vetëm për të qenë shembull për qytetarët e tjerë.
“Vaksina duhet t’i ketë dy cilësi kryesore, sipas konstatimeve në Bashkimin Evropian dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë – të jetë efikase dhe e sigurt. Nuk është e jona tani të bisedojmë për çështje profesionale. Se vaksinimi është i domosdoshëm dhe frytdhënës, tregojnë edhe shembujt e disa sëmundjeve të mëdha të cila u çrrënjosën falë saj. Kundër Kovid-19 mund të luftojmë me vaksina nëse ato janë efikase dhe të sigurta. Vlerësoj se do të ishte e gabueshme të paraqiten edhe teori konspirative që mund të ndikojnë keq në shëndetin publik”, deklaroi Daçiq.
Sipas paralajmërimeve, këtë javë në Serbi duhet të jepen 2.400 doza të vaksinës Sputnik V.
Ndryshe, më 24 dhjetor, kryeministrja Ana Bërnabiq, ministrja Daria Kisiq Tepavçeviq dhe epidemiologu Predrag Kon ishin të parët që u vaksinuan kundër koronës dhe e morën vaksinën e kompanisë “Fajzer”.
Atë ditë filloi edhe vaksinimi i personave të moshuar në azilet për pleq, ndërsa nga dje edhe punonjësit shëndetësorë janë duke e marrë vaksinën kundër koronavirusit. Plani është të vaksinohen 11.000 persona deri në fund të javës.
