Në pushim dhe plazh me distancë fizike! Agjencitë turistike kërkojnë ndihmë, anulojnë aranzhmanet

TË FUNDIT

Plazhet në Greqi asnjëherë nuk kanë qenë kaq të zbrazëta në këtë periudhë të vitit. Për shkak të pandemisë globale me virusin korona, vendi, bukurinë e të cilave e njeh e gjithë bota, ende po i pret turistët. Edhe pse për aranzhmane kanë paguar kohë më parë, një numër i madh turistësh për shkak të kufijve të mbyllura nuk mund të arrijnë në destinacionin e përcaktuar. Bashkëbiseduesja  jonë e cila deshi të mbetej anonime, tha se aranzhmanin për këtë vit e ka paguar që në janar.

“Duhej të shkonim në Greqi më 31 maj, në Polihoro. Për shkak të rrethanave me korona virusin, Agjencia na lajmëroi se jemi të penguar për të shkuar në pushim. Na ofruan vaucer të cilin do të mund ta shfrytëzojmë deri në vitin 2021. Këtë vit nuk do të shkoja askund në pushim, as në Greqi e as në Maqedoni,” tha një fituese e vauçerit.

Anastazija e cila me familjen e saj banon dhe punon në Halkidiki në vendin Olimpiadë, për TV21 thotë se sezoni ka filluar që më 1 qershor për turistët vendorë, ndërsa më 15 qershor filluan të vinin edhe turistët nga Evropa dhe Serbia.

“Sa i përket protokolleve të kafeneve në plazh, duhet të ketë katër metra distancë mes ombrellave. Respektohet distanca, mbahen maska në hapësira të mbyllura dhe lahen duart. Nuk është patjetër që në një tavolinë të jenë ulur vetëm anëtarë të familjes,” tha Anastazija Parusheva Rizou.

Humbje patjetër se ka, tha Anastazija për shkak të anulimit të shumtë të rezervacioneve nga muajt maj dhe qershor.

“Humbja është e madhe, është e logjikshme si në të gjithë vendet që kanë shumë turist. Këtë vit shpresojmë për një pjesë të vogël të kësaj pite turistike, siç tha ministri grek për turizmin,” tha Anastazija Parusheva Rizou.

Sa u përket protokolleve në kapacitetet akomoduese, më e rëndësishme është të mbahet distancë, ndërsa ata që kujdesen për pastërtinë e kapaciteteve akomoduese duhet të kenë veshje për një përdorim. Duhet të pastrohet hollësisht, të dezinfektohet, të ajroset pasi klientët i lëshojnë hapësirat.

Turistët të cilët këtë verë në Greqi do të infektohen me virusin korona, do të vendosen në karantinë në shpenzim të shtetit, derisa të shërohen.

Humbje të madhe për shkak të korona virusit kanë edhe Agjencitë turistike. Ata sot paralajmëruan se do të protestojnë nëse nuk u ndihmon shteti. Kërkesat i kanë parashtruar deri te Ministria e ekonomisë dhe Ministrinë e financave, por tani për tani ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

“Nuk duam të përfitojmë, nuk kërkojmë grante të mëdha. Bëhet fjalë për mbijetesën e turizmit dhe të gjithë ne që punojmë në këtë sektor. Ne jemi disa mijëra të punësuar, për fat të keq, nëse situata vazhdon kështu, ndërsa shteti nuk na ndihmon, pjesa më e madhe do të bankrotojmë, do të jemi të obliguar të mbyllim dhe në mënyrë praktike nga shtatori do të jemi të papunësuar të rinj. Andaj këta janë kërkesat tona për ndihmë, më lehtë për neve do të jetë të hapen kufijtë pa protokolle të tilla, siç është nëpër BE,” tha Ana Marija Allksova, pronare e një agjencie turistike.

Nga e hëna do të fillojnë me punë hotelet në Maqedoni dhe objektet tjera hotelerike për akomodimin e turistëve. Në përputhje me protokollin, është paraparë mbajtja e detyrueshme e maskës mbrojtëse për klientët dhe të punësuarit, dezinfektim i këpucëve dhe duarve në korridor, ndërsa në hyrje të hotelit do të vendoset tabelë me tekst për hapat dhe rekomandimet që duhet të respektohen gjatë kohës së qëndrimit në objekt.