Në pritje të vaksinave, Shqipëria shënon rekorde ditore negative të rasteve të reja me Kovid-19

TË FUNDIT

Në pritje të vaksinave nga “Fajzer” të cilat duhet të arrijnë javën tjetër, Shqipëria po shënon rekorde negative me raste të reja me Kovid-19.

Pas numrave të lartë të rasteve të reja gjatë një 24-orëshi të pranishëm gjatë muajit të kaluar dhe fillimit të këtij muaji, dje në vend është regjistruar rekord më i lartë negativ prej 1.007 rasteve të reja.

“Nga 3.849  teste të bëra , virusi i rrezikshëm është diagnostikuar tek 1.007 persona, që është mbi 26 për qind e të testuarve. Në listën e të shëruarve janë futur 581 persona, vdiqën gjashtë persona, përderisa në katër kovid spitalet po trajtohen 404 pacientë”, informoi dje Ministria e Shëndetësisë.

Edhe pse nga Ministria informojnë se në vend nuk ka rast me mutacion të virusit, profesori i njohur, doktor Tritan Shehu, ish-ministër i Shëndetësisë deklaroi se nuk është e mundur të mos jetë prezent në Shqipëri kur në vendet fqinje qarkullon.

“Aq më tepër pas informatave të marra se një udhëtare e cila ka arritur në Gjermani nga Shqipëria ka qenë e infektuar me mutacionin ‘britanik’ të virusit”, tha Shehu, i cili gjendjen e vendit me Kovid-19 e vlerëson si alarmante.

Vlerësim të këtillë jep edhe Petrit Vasili,  gjithashtu ish-ministër i Shëndetësisë, sipas të cilit Qeveria tërësisht ka dështuar në përballjen me pandeminë.