Kryeministri i vendit Dimitar Kovaçevski, për të hënën ka caktuar takim liderësh në Kuvend, e për këtë takim paralajmëroi se do të dërgojë ftesë deri te të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvend. Në këtë takim siç njoftoi kryeministri, do të diskutohet për eurointegrimet, zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, si dhe ndryshimet e Kodit Zgjedhor në përputhje me propozimet e OSBE/ODIHR. Mirëpo përpos këtyre temave, VMRO ka paralajmëruar se do ta shtrojë edhe çështjen e qeverisë teknike, që e njejta të shfuqizohet.
Arsyeja për shfuqizimin e Qeverisë teknike sipas Ilija Dimovskit nga VMRO-DPMNE, është marrëveshja mes LSDM-së dhe BDI-së për kryeministër shqiptar. Sipas Dimovskit, nuk është e drejtë që qeverinë ta udhëheqë anëtar i një partie e cila siç thotë, ka afera korruptive.
“Ne kemi problem që kryeministër të kandidojë partia për të cilën të gjitha mediat relevante vendore dhe ndërkombëtare, media të cilat janë degë e mediave amerikane, europiane e botërore, në bazë ditore nxjerrin afera të mëdha korruptive. Qeveria teknike paraqet garanci për zbatim demokratik të zgjedhjeve. Kjo është arsyeja pse është vendosur. Nëse vendosim person nga një ambient të korruptuar të jetë garantues për zgjedhje demokratike, nuk do të jenë”, theksoi Ilija Dimovski – VMRO-DPMNE.
I ftuar së bashku me Dimovskin në Click Plus ishte edhe Andrej Petrov, ish deputet i LSDM-së. Ndonëse nga LSDM zyrtarisht deri tani kanë mbrojtur marrëveshjen me BDI-në, sipas Petrovit qeveria teknike duhet të shfuqizohet, duke shpresuar që kjo të bëhet që nga zgjedhjet e ardhshme.
“Mendoj që në mënyrë perspektive për shtetin ky vendim duhet të shfuqizohet. Por kjo nuk mund të bëhet 3,4 muaj para zgjedhjeve. Në këto zgjedhje ajo që është marrë si obligim dhe platforma në bazë të së cilës është formuar qeveria, duhet të vazhdojë. LSDM konsideron se nuk ka asgjë kontestuese që qeveria teknike të formohet tani sipas asaj marrëveshje që ishte publikuar nga qeveria e mëparshme. Propozimin duhet ta jep BDI-ja. Ne nuk mendojmë se të gjithë njerëzit në BDI janë të korruptuar, përkundrazi ka njerëz të ndershëm në atë parti”, deklaroi Andrej Petrov – LSDM.
Kujtojmë se ditë më parë nënkryetari i BDI-së Bujar Osmani, në Click Plus tha se kur VMRO flet kundër kryeministrit teknik shqiptar, ata në fakt janë kundër shqiptarëve dhe barazisë etnike, por që sipas tij, nuk guxojnë ta thonë haptas. Përndryshe marrëveshja mes LSDM-së dhe BDI-së ende është në fuqi dhe e njejta vazhdimisht po mbrohet si nga BDI ashtu edhe nga LSDM. Të gjitha dyshimet pritet të zgjidhen ditën e hënë në takimin e liderëve e cila është caktuar në ora 12:00 në Kuvend. Nëse arrihet marrëveshje për zgjedhje të përbashkëta, ato do të mbaheshin më datën 8 maj 2024.
