Vazhdojnë bisedimet për koalicion parazgjedhor mes Bashkimit Demokratik për Integrim dhe partive tjera nga blloku politik shqiptar. Kreshnik Bekteshi nga BDI thotë se kanë autorizuar kreun e partisë Ali Ahmetin që të zhvillojë bisedime me të gjitha partitë të cilat janë të interesuara të kyçen në Frontin Europian. Këtu nuk e përjashtoi edhe Aleancën për Shqiptarët, krahun e Ziadin Selës.
“BDI e ka autorizuar liderin z.Ahmetin, që të negociojë me të gjitha partitë politike por jo vetëm. Edhe me OJQ-të, me akademikë, intelektualë të ndryshëm me qëllim që të kemi një listë gjithëpërfshirëse. Z.Ahmeti zhvillon negociata me të gjithë ata që janë të interesuar të kyçen në frontin europian dhe në ekipin e fitoreve të njëpasnjëshme në 20 vitet e kaluara”, tha Kreshnik Bekteshi – BDI.
Sa i përket Aleancës për Shqiptarët, krahu i Selës, ata edhe më tej mbajnë qëndrimin se do të shkojnë vetë në zgjedhje dhe nuk kanë kalkuluar mundësi tjetër.
“Për Aleancën për Shqiptarët ndonëse ju keni dëgjuar gjëra të ndryshme dhe opinioni ka dëgjuar gjëra të ndryshme, ne deri në këtë moment kur flasim nuk është se kemi marrë një vendim tjetër përveç vendimit të fundit që e kemi pasur në parti nga kryesia e partisë që Aleanca do të garojë e vetme në këto zgjedhje. Natyrisht që e tillë është periudha, është kohë grupimesh, është kohë sa më shumë të forcohen blloqe të ndryshme politike por sinqerisht nuk mund të them diçka shtesë prej asaj që keni dëgjuar deri tani nga eksponentët politik se ne deri në këtë moment nuk kemi ndonjë tjetër kalkulim përveç vendimit që kemi marrë në kryesi”, pohoi Vjollcë Berisha, ASH.
Lidhur me frontin europian që fillimisht ishte paralajmëruar mes LSDM-së dhe BDI-së, Bekteshi njoftoi se me shumë gjasa ky koalicion nuk do të ndodhë.
“Sa i përket koalicionit me LSDM-në, në momentin që po flasim nuk jemi aq afër që të kemi një koalicion të tillë por më e rëndësishmja është se kur fiton BDI-ja, fitojnë qytetarët”, tha Kreshnik Bekteshi, BDI.
Përndryshe sa i përket koalicioneve parazgjedhore, jozyrtarisht po zhvillohen bisedime për një koalicion të përbashkët mes BDI-së, PDSH-së, PDE-së, ASH-së së Selës dhe Lëvizjes Populli.
