Të gjithë po prisnin që sot diku të hidhej lopata e parë për ndërtimin e Koridorit 8, ashtu siç kishin paralajmëruar zyrtarët.
“Punimet fillojnë më 22 prill të këtij viti ndërsa gurthemeli do të vendoset me gjatë më 3 dhe 4 prill të këtij viti”, tha Artan Grubi, zëvendëskryeministër i parë.
Se më 22 prill do të nisin punimet e ka paralajmëruar edhe Ministria për Transport dhe Lidhje, ndërsa Ministri ditë më parë thoshte qetësonte se do të ketë njoftim për lokacionin.
“Do të ju thërrasim se ku do të duhet të vini”, tha Bllagoja Boçvarski, ministër për Transport dhe Lidhje.
Por asnjë njoftim nuk erdhi sot nga Qeveria apo dikaster kompetent për të treguar se në cilin lokacion do të nisin punët.
E pyetëm zëvendëskryeministrin e parë Artan Grubi për paralajmërimin e tij për 22 prill, por nuk morëm përgjigje. E pyetëm edhe ministrin për Transport dhe Lidhje Bllagoj Boçvarski, por na tha se do të ketë kumtesë rreth kësaj çështjeje, e në të cilën shkruhet se prej sot nis realizimi i marrëveshjes për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10d, por për dallim nga paralajmërimet e mëparshme pompoze dhe me lojëra fjalësh se sot nis ndërtimi, nga kumtesa e ministrisë së Transportit kuptohet se po nisin punët përgatitore për ndërtim, e jo ndërtimi në terren.
“Sipas marrëveshjes, nga sot do të nisin punimet përgatitore, incizimi i terrenit, përgatitja e projekteve urbanistike, projekteve bazë, me qëllim fillimin e procedurave për shpronësim dhe projektim. Paralelisht me këtë fillon mobilizimi i personelit për punë, përgatitja e lokacioneve për ngritjen e kampeve për operimin e ndërtimit, analiza e trasesë dhe dislokimet e mundshme të instalimeve nëntokësore dhe mbitokësore, përgatitja e procedurave për kryerjen e hetimeve gjeoteknike”, thanë nga Ministria për Transport dhe Lidhje.
Përveç paralajmërimeve se punimet ndërtimore në një pjesë të Korridorit 8 do të nisin më 22 prill, ka pasur paralajmërime se për ndërtimi në Korridorin 10d punët do të fillojë më 12 maj, por me shumë gjasa as këtu nuk duhet pritur punë, por vetëm punime përgatitore për punë.
