Pritej që dy kilometrat e para të rrugës Shkup-Bllacë të përuroheshin në fund të tetorit. Kështu paralajmëronte zëvendësministrja e transportit Kaltrina Zekolli-Shaqiri.
“Kemi një sinjal të mirë këtu te dy kilometërshi i parë, do të përfundohen në afat prej dy muajve dhe do të lëshohet në qarkullim.
-Dy muaj nga tani..
-Po nga tani…
-D.m.th. jemi shtator, në fund të tetorit?
-Dy muaj, po, aty do me thënë…”, tha Kaltrina Zekolli – zv/ministre e Transportit.
Por me sa duhet përurimi do të shtyhet edhe për disa javë. Kjo për shkak se siç tha sot zëvendësdrejtori i ndërmarrjen “Rrugët shtetërore”, Nazim Taipi, kanë mbetur edhe disa çështje që duhen kryer andaj mund të hapet në mes të nëntorit.
“Mendoj që brenda muajit të ardhshëm të përfundojnë punimet komplet.
-D.m.th në nëntor.
-Po në nëntor”, u shpreh Nazim Taipi – zv/drejtor i NP “Rrugët Shtetërore”.
Por edhe nëse përurohen 2 kilometrat e parë, sipas Taipit, nuk do të kenë ndonjë impakt të madh.
“Ky dykilometrëshi është nga kufiri dhe për momentin duhet të lidhet me qarkoren që është ndërtuar aty dhe segmenti i dytë janë 10 kilometrat e ardhshme dhe këto dy kilometra do të ishin më funksionale kur të ndërtohet edhe segmenti i dytë. Për momentin janë të ndërtuara ata dy kilometrat që duhet të lidhen aty me qarkoren që është ndërtuar dhe unë po them që nëse ngelen vetëm këto dy kilometrat nuk do të kenë ndonjë impakt të rëndësishëm”, potencoi zv/drejtori i NP “Rrugët Shtetërore”, Nazim Taipi.
Projekti për pjesën e dytë e rrugës Shkup-Bllacë është në rishqyrtim. Qeveria e re e solli këtë vendim për arsye se projekti i qeverisë paraprake me 6 tunele u vlerësua si shumë i shtrenjtë dhe vështirë i realizueshëm. Megjithatë Taipi tha se kjo nuk do të thotë se ky projekt përfundimisht është hedhur poshtë.
“Për momentin çështja është në rishqyrtim të projektit, nuk do të thotë se projekti do të hidhet ndoshta edhe do të vazhdohet në projektin ekzistues, ne jemi në rishqyrtim të projektit, nuk ka ndonjë vendim se ky projekt do të hidhet totalisht.
-Projekti aktual nuk është 100% që do të anulohet?
-Ne jemi në rishqyrtim të projektit, nuk ka ndonjë vendim se ky projekt do të hidhet totalisht”, theksoi Nazim Taipi – zv//drejtor i NP “Rrugët Shtetërore.
Si alternativë tjetër që shqyrtohet për rrugën Shkup Bllacë është traseja ekzistuese, për të cilën nuk do të duheshin tunele, megjithatë zëvendësdrejtori i “Rrugëve Shtetërore” tha se kjo çështje mbetet të vendoset nga ekspertët.
