Në mesnatë skadon afati për kontroll të listës zgjedhore

TË FUNDIT

Deri në mesnatë, qytetarët mund të kryejnë mbikëqyrje në Listën zgjedhore dhe të dorëzojnë kërkesa për plotësim ose fshirje të të dhënave të tyre në Komisionin Shtetëror Zgjedhor. Afati për paraqitjen e kandidaturave për zgjedhjet lokale më 17 tetor skadon të shtunën, 11 shtator.

Deri të martën, më 7 shtator, gjithsej 13,502 persona janë kontrolluar në Listën zgjedhore, janë paraqitur gjithsej 122 kërkesa për regjistrim në Listën zgjedhore, 31 kërkesa për fshirjen e të dhënave nga Lista zgjedhore dhe 39 kërkesa për ndryshimi i të dhënave në Listën zgjedhore, kumtoi KSHZ -ja.

Gjithashtu, në Komisionin Shtetëror Zgjedhor në e-mail adresën upisis@sec.mk janë parashtruar gjithsej 73 kërkesa.

Më 14 shtator, skadon afati i fundit që KSHZ -ja t’i dorëzojë partive politike Listën e Votuesve, e cila, deri më datën 19, duhet të paraqesë kërkesat e mundshme për korrigjimin e saj.

Deri më 24 shtator, KSHZ-ja duhet ta konkludojë Listën zgjedhore, ndërsa më së voni deri më 1 tetor ta nënshkruajë.

Të shtunën, 11 shtator, në mesnatë, përfundon afati i fundit për paraqitjen e kandidaturave për zgjedhjet lokale në Komisionet Komunale Zgjedhore.

Zyrtarisht fushata për zgjedhjet lokale fillon më 27 shtator, por shumë prej kandidatëve për kryetarë bashkie tashmë po takohen me mbështetësit dhe qytetarët e tyre.

Ndërkohë, vijon afati për paraqitjen e kërkesave në KSHZ për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale.

Misioni i OSBE/ODIHR e filloi punën e vet, ndërsa në takim në KSHZ, përfaqësuesit e tyre tashmë kanë pasur mundësinë të shohin terminalet e gjurmëve të gishtërinjve, të cilët do të përdoren për herë të parë në zgjedhjet në vend.