Në Mal të Zi sot filloi imunizimi i qytetarëve me vaksinën AstraZeneka kundër Covid-19, ndërsa të parët e morën gazetarët, të cilët i përkasin grupeve prioritare për vaksinim.
Këtë mëngjes u vaksinuar edhe nënkryetari i Qeverisë së Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i cili si gazetarët e mori vaksinën e Oksfordit.
Ai theksoi se të gjithë duhet të vaksinohen, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të ruhet shëndeti dhe ekonomia.
“Nëse 23 milionë britanikë mund të vaksinohen, atëherë mundemi edhe ne”, deklaroi Abazoviq, duke i falënderuar punonjësit shëndetësorë.
Ministrja malazeze e shëndetësisë, Jelena Boroviniq Bojoviq kumtoi se së shpejti do të mbërrijë një dërgesë e madhe e vaksinave në vend, ndërsa vaksinimi masiv duhet të fillojë rreth 20 prillit.
Në Malin e Zi, deri më tani nga pasojat e koronavirusit kanë vdekur 1.274 persona. Aktualisht, sipas të dhënave zyrtare, janë të infektuar rreth 6.446 qytetarë.
Për vaksinim deri më tani janë paraqitur 83.498 persona. Dozën e parë e kanë marrë rreth 20.000 qytetarë, ndërsa janë vaksinuar pothuajse 3.500.
