Derisa ishte paralajmëruar bllokimi i gjitha rrugëve që të shpijnë drejt Kuvendit, deputetët për seancën e së martës ia mësynë në këmbë godinës ligjvënëse. Para se të fillonte protesta në 9 të mëngjesit, disa nga deputetët erdhën duke ecur, e disa të tjerë me biçikleta.
-Sot ecët në këmbë?
-“Mirëdita, po sot erdhëm duke ecur”, tha Jovanka Trençevska.
-Sa hapa i keni bërë a e shikoni aplikacionin?
-“Nuk i numërojmë hapat, por diku 2 kilometra”, tha Trençevska.
-Po ecni në këmbë sot, pse?
-“Për të ardhur në punë”, tha Brane Petrushevski
-Edhe ditëve tjera vini duke ecur?
-“Po, po”, tha shkurt ai.
Në çdo cep të oborrit të Kuvendit kishte forca të shumta policore, por protesta ishte e qetë, ndërsa nuk qe nevoja as për një intervenim më të vogël të uniformave blu e aq më pak për intervenim të shpejtë.
-A vini duke ecur në punë?
-Po shpesh vij unë në këmbë! Ju faleminderit…”, tha Oliver Spasovski.
-Sot po vini në këmbë, a është një praktikë që duhet ta ndiqni çdo ditë?
– “Unë çdo herë vij në këmbë, në fakt vij me taksi deri diku pastaj në këmbë”, deklaroi Dijana Toska.
-Mirdita, zotëri Kovaçevski sot erdhët në këmbë?
“Unë eci çdo ditë nga 15 kilometra”, deklaroi Dimitar Kovaçevski.
Madje njeri edhe pse me protezë në këmbë nuk e pati problem
“Ata, të cilët sot kanë dal në rrugë kanë të drejtë plotësisht për të kërkuar një pagë të dinjitetshme, ne si grup parlamentar kemi një propozim-ligj në Kuvend për të rritur pagën minimale në 600€. Mendoj që sot çdo debat tjetër është kundër dinjitetit të gjithë qytetarëve. E përkrahi plotësisht dhe ardhja në punë është obligim i yni…”, tha Fatmir Bytyqi.
“Sot ecëm, por shumë herë vij edhe me biçikletë, por kësaj radhe eca. Porosia e LSM që sot dërguan është shumë e fuqishme dhe vlerësojmë se është e drejtë deri sa nuk rriten pagat minimale, a në anën tjetër deputetët marrin para rekorde të shpenzimeve të rrugës”, u shpreh Amar Mecinoviq.
Dikush që vinte nga larg, thotë se e kishin patjetër të vijnë me makina.
-Lidhur me ecjen tuaj në këmbë, si e vlerësoni këtë a duhet të ndiqet shembulli edhe ditëve të tjera?
-“Po ne vijmë nga larg, vijmë nga Struga”, tha Bekim Qoku.
-A i mbështesni protestat?
-“Absolutisht po, kanë të drejtë për protestë?”, tha Bekim Qoku.
-Z.Jahoski jeni i vetmi që po vini me makinë? Nuk ju kuptoj! Përse nuk e respektoni vullnetin e protestuesve?
-“Nuk shoh që dikush po proteston…”, tha Ismail Jahoski.
Nga të gjitha partitë parlamentare thonë se ecja bënë mirë, por jo të gjithë përkrahin formën e protestës së Lidhjes së sindikatave të Maqedonisë.
“Si deputete vlerësoj se sulmet janë shumë fyese ndaj deputetëve dhe mendoj se me atë qasje në politikë rrënohet thelbësorja që në këtë rast është përfaqësimi direkt i qytetarëve në shtëpinë ligjvënëse”, tha Ivanka Vasilevska.
-“Nuk është problem për të ecur por me veturë kemi ardhur”, tha Sali Murat.
-Po ju thonë hajna, si e komentoni?
-Jo, nuk është e vërtetë, si dëshmohet se jemi hajna! Ne me dinjitet i kryejmë detyrat kushtetuese”, deklaroi Murat.
-A pajtoheni t’ju zvogëlohet paga?
-Unë kam folur këto ditë për këtë çështje, ne duhet të gjithëve në mënyrë lineare tu vlerësohen pagat e pastaj të vijmë tek pagat e deputetëve”, tha ai.
Derisa deputetët vinin në Kuvend nga disa anë të pasme, protestuesit brohorisnin me fjalë si hajna dhe me parulla në duar.
