Në Greqi, përsëri mbi 3.000 raste të reja të Kovid-19

TË FUNDIT

Mbi 3.000 raste të reja me Kovid-19 janë regjistruar në Greqi gjatë 24 orëve të fundit – gjithsej 3.038 të sapoinfektuar, ndërsa 38 persona kanë vdekur, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Numri i pacientëve të kyçur me pajisje po rritet dita-ditës në vend. Sot ata janë 336, respektivisht 26 më shumë se dje.

Në konferencën e sotme të rregullt për shtyp në Ministrinë greke të Shëndetësisë mbi situatën e koronavirusit, profesoresha dhe epidemiologia Vana Papaevangelu tha se vendi është ndoshta në kulmin e valës së dytë të pandemisë dhe në dhjetë ditët e ardhshme pritet të ulë pranimin e pacientëve në spitale.

Nga rastet e reja të sotme, numri më i madh – 725 – janë në Selanik dhe 697 në zonën e Atikës, rajoni më i gjerë i Athinës.

Që nga fillimi i epidemisë, gjithsej 69.675 raste me Kovid-19 janë regjistruar në Greqi, ndërsa 997 persona kanë vdekur.

Komisioni kompetent i epidemiologëve nga Ministria e Shëndetësisë së Greqisë po mban takim pasdite për të bërë rekomandim në lidhje me punën e shkollave fillore dhe kopshteve.

Megjithëse u njoftua se ministri i Arsimit do të shpallë vendimin në konferencën e rregullt për shtyp këtë pasdite, ai është shtyrë për nesër, duke marrë parasysh që rekomandimi i komisionit duhet të shqyrtohet nga Qeveria greke.

Greqia ka qenë në karantinë të plotë që nga e shtuna e kaluar, me shkolla fillore dhe kopshte të hapura, por si duket do të mbyllet të hënën, megjithëse është e paqartë nëse vendimi do të jetë për tërë vendin apo vetëm për pjesët me pasqyrë të rëndë epidemiologjike.

Përveç karantinës, nga sonte, në Greqi do të hyjë në fuqi ora policore, respektivisht ndalim i lëvizjes së qytetarëve nga ora 21:00 deri në ora 05:00.