Kryetari i Kumanovës , Maksim Dimitrievski i cili nuk mendon se është i përjashtuar nga partia, në deklaratë për TV21 thotë se nuk planifikon të parashtrojë kandidaturë në këtë mënyrë për shkak se siç theksoi, sistemi i këtillë nuk është sipas Statutit të partisë.
“Ka procedurë është përcaktuar sipas Statutit. Caktohen takime të organizatave lokale, organizatave komunale dhe jepen propozime, vetë propozimet pastaj i konfirmojnë organizatat komunale dhe në fund, hapet procedurë për vetëkandidaturë, ku anëtarësia duhet të propozojë një kandidat e jo vetë të shkruajmë kandidaturë, dhe të bëhemi vetë kryetarë para kohe”, tha Maksim Dimitrivski, kryetar i Komunës së Kumanovës.
Kovaçevskit dhe Remenskit të cilët zyrtarisht e parashtruan kandidaturën për kryetar të LSDM-së , në këtë garë pritet që t’u bashkëngjitet edhe Jovan Despotovski, njeriu i parë i Drejtorisë së zonave zhvillimore industriale teknologjike dhe anëtar shumëvjeçar i partisë. Ai sot deklaroi se seriozisht mendon të kandidohet.
“Seriozisht mendoj, kjo nuk është sekret. Megjithatë vendimi nuk është i lehtë, është sfida e madhe, periudha është shumë e komplikuar, përgjegjësia është e madhe dhe vendimin do ta njoftoj nesër për shkak se dua ta shfrytëzoj edhe ditën e sotme që të konsultohem në mënyrë shtese me më të afërmit e mi, me familjen time, për shkak se i përfshij edhe ata”, theksoi Jovan Despotovski, drejtor i ZZHIT-së.
Një gjë të tillë dje paralajmëroi edhe ish sekretari organizativ i LSDM-së, Mile Zeçeviq. Sipas tij më e rëndësishme është procesi i kandidaturave ta mos e ndajë anëtarësinë e partisë.
“Momenti kyç i cili do të jetë vendimtar, është që ta ndjej impulsin e anëtarësisë. Për momentin kjo është e rëndësishme për mua dhe më duhet të pranoj se sipas meje është e rëndësishme që kryeministri Zaev të mbetet në qeveri. Vite me radhë punoj me LSDM-në, brenda në partinë, një kohë e gjatë më njohin të gjithë, në të gjitha momentet kyçe të veprimit të LSDM-së në të gjitha momentet e mira dhe të këqija, dhe në një moment të këtillë i cili është shumë i rëndësishëm ndjej përgjegjësi serioze që të qëndroj në mbrojtje të partisë“, theksoi Mile Zeçeviq, LSDM.
Tani për tani , kandidaturë parashtruan Dimitar Kovaçevski, zëvendës ministër aktual i financave dhe Frosina Remenski, ish deputete. Kovaçevski e ka përkrahjen e liderit Zoran Zaev me të cilin paraqitet në takimet me kryetarin e Alternativës, Afrim Gashi dhe në seancën e Bordit qendror të javës së kaluar e ka prezantuar si zgjidhje e mirë për ta zëvendësuar në pozitën e tij. Afati për parashtrimin e kandidaturave për kryetar të LSDM-së skadon nesër, pas çka do të dihet cilat janë kandidatët prej të cilëve do të zgjidhet lideri i ri i partisë.
