Në faqen e MPB-së vendoset link që të çon te regjistri i sulmeve ndaj gazetarëve: Siguria e gazetarëve në krye të prioriteteve

TË FUNDIT

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) përmes një kumtesë thekson bashkëpunimin e saj të vazhdueshëm dhe aktiv me shoqatat dhe institucionet që punojnë për të mbrojtur të drejtat dhe sigurinë e gazetarëve.

Si pjesë e këtij zotimi dhe bashkëpunimi të ngushtë ndërmjet MPB-së dhe SHGM-së në faqen kryesore të MPB-së është vendosur një link me pranë regjistrit të sulmeve ndaj gazetarëve që të çon në faqen e SHGM-së-së ku është publikuar regjistri. Ky regjistër paraqet rastet e shkeljeve të të drejtave të gazetarëve – me detaje mbi llojin e sulmit, vendndodhjen, statusin e denoncimit dhe procedurën.

“Siguria e gazetarëve është një nga prioritetet kryesore për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në vitet e fundit po punohet intensivisht në këtë fushë, ndërsa rezultatet e këtij përkushtimi janë të dukshme. Ndër të tjera, u caktua edhe pika e kontaktit, e cila kontribuoi shumë në zbardhjen më të shpejtë dhe më efikase të rasteve lidhur me gazetarët. Kuptohet, në koordinim me SHGM-në, Ministria e Punëve të Brendshme vazhdon të punojë në këtë fushë”, thuhet në kumtesë.

Formimi i Komitetit kombëtar për mbrojtjen e gazetarëve paraqet një organ ndërsektorial, një kombinim i institucioneve qeveritare dhe organizatave joqeveritare, ndër të tjera, që lidhen me profesionin e gazetarisë. 

“Procesi i formimit është në vijim dhe pas finalizimit të tij, një nga detyrat kryesore do të jetë miratimi i Planit kombëtar të veprimit për mbrojtjen e gazetarëve. Ky është një proces që po zbatohet në kuadër të fushatës së Këshillit të Evropës Safety of Journalists, në koordinim me pikën kombëtare të kontaktit. Koordinimi ndërmjet policisë, prokurorisë dhe organizatave të gazetarëve është në një nivel të lartë dhe kjo kontribuon shumë në zgjidhjen e shpejtë dhe efikase të rasteve që kanë të bëjnë me gazetarët. Një bashkëpunim i tillë duhet të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme me qëllim të zgjidhjes më efektive të çdo rasti të sulmit ndaj ndonjë punonjësi të medias. Të udhëhequr nga motoja ‘Gjithmonë mund të jetë më mirë’, policia, prokuroria dhe organizatat e gazetarëve do ta rrisin dhe përmirësojnë shumë nivelin tashmë të lartë të bashkëpunimit të ndërsjellë në të ardhmen e afërt”, theksohet në kumtesë.

Prej atje theksojnë se doracaku për sigurinë e gazetarëve i cili u përpilua në koordinim me SHGM-në dhe PTHP po aplikohet në MPB dhe u përditësua vitin e kaluar. Edhe më tej do të pasurohet dhe do të përditësohet në të ardhmen në drejtim të përmirësimit dhe rritjen e nivelit të sigurisë së gazetarëve, siguri e cila është në krye të prioriteteve të udhëheqësisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ministria u bën thirrje të gjithë gazetarëve, në qoftë se përballen me kërcënime, sulme verbale ose fizike ose lloje të tjera presioni, që të denoncojnë menjëherë rastet. 

Ministria e Punëve të Brendshme është e detyruar të sanksionojë kryerësit dhe të mbrojë të drejtën e opinionit për informim të lirë. Së bashku me punonjësit e medias dhe organizatat e shoqërisë civile, ne vazhdojmë të ndërtojmë një mjedis të sigurt ku gazetarët mund të ushtrojnë lirisht dhe pa frikë profesionin e tyre”, thuhet në komunikatën e MPB-së.