Në emër të popullit të Kosovës flasim ne e jo ti – i tha Jakup Krasniqi prokurorit Jack Smith

TË FUNDIT

Jakup Krasniqi, ish-zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tani i akuzuar për krime lufte, në seancën e tretë statusore i reagoi prokurorit të specializuar Jack Smith. Krasniqi i tha prokurorit amerikan se ai nuk mund të flasë në emër të popullit të Kosovës.

“Dua të bëj një reagim ndaj prokurorit Jack Smith i cili foli në emër të popullit të Kosovës. Në emër të popullit të Kosovës mund të flasim ne përfaqësuesit e tij”, tha Krasniqi.

Krasniqi shtoi se në emër të popullit të Kosovës nuk mund të flasin ata që tentojnë ta dënojnë luftën shumë vjeçare për barazi, liri dhe shtetndërtim.

“Në emër të popullit tim, kombit tim dhe të luftës dhe sakrificave të mëdha flasim ne përfaqësuesit e tij dhe jo ata që tentojnë ta dënojnë luftën shumëvjeçare të kombit tim e në mënyrë të veçantë luftën e fundit, për liri, barazi dhe shtetndërtim, për çka kombi ynë dhe ne e kemi fituar mbështetjen ndërkombëtare dhe Kosova sot është shtet i pavarur”, shtoi Krasniqi.

Reagimi i Jakup Krasniqit erdhi pasi Prokurori i specializuar, Jack Smith, deklaroi se një gjykim i shpejtë dhe caktim i një date që lidhet me ofrimin e dosjes paraprake, është mënyra më e mirë për ta menaxhuar çështjen e katër ish krerëve të UÇK-së dhe mënyra më e mirë për Kosovën.

Kujtojmë që kjo është seanca e tretë statusore e cila po mbahet në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.