Në dhjetor, sërish jetohet më shtrenjtë! Shporta minimale sindikale arrin 65.492 denarë

TË FUNDIT

Pas uljes së nëntorit të shportës minimale sindikale, në dhjetor ka sërish rritje të shumës që nevojitet për të mbijetuar një familje katër anëtarëshe në Maqedoni. Shporta për këtë muaj është 65.492 denarë dhe është 319 denarë më e lartë krahasuar me muajin e kaluar.

Sipas përllogaritjeve të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, një familje shpenzon më së shumti për t’u ushqyer dhe kjo arrin në 23.648 denarë, që është shumë afër shumës së pagës minimale në vend, e cila nga prilli i vitit 2025 është 24.400 denarë. Ushqimi përfaqëson 36,1 për qind të të gjitha shpenzimeve të nevojshme për të siguruar minimumin e jetesës për një familje. Nga LSM thonë se kjo tregon nevojën për rritjen e pagës minimale, por se Qeveria as që mendon të bisedojë për këtë, gjë që mund të shihet edhe nga rendi i ditës i takimit të paralajmëruar për të hënën të Këshillit Ekonomiko-Social, ku do të diskutohet për Planin Operativ për vitin 2026, për avancimin e politikave dhe masave për arritjen e balancës ndërmjet punës dhe jetës private, përmes politikave familjare të përgjegjshme gjinore, si dhe pika “të ndryshme”. Nga Sindikata thonë se në pikën “të ndryshme” do ta hapin temën për pagën minimale.

“Por ajo që na shqetëson është fakti se në seancë nuk është vendosur asnjë pikë për ndonjë vlerë të re të ndonjë shporte të re qeveritare, as nuk është vendosur në rend dite ndonjë pikë për diskutim rreth pagave të punëtorëve dhe kjo mendoj se i demotivon dhe i dekurajon edhe më tej dhe mendoj se kjo është një urim i keq për punëtorët nga ana e Qeverisë”, tha Slobodan Trendafilov, Kryetar I LSM-së.

Trendafilov thotë se të hënën, me argumente, do të dëshmojnë se paga minimale duhet të jetë nga 600 deri në 700 euro, e jo si tani, diçka nën 400 euro. Ai thotë se kanë analiza serioze që do t’i demaskojnë qëndrimet e Qeverisë dhe të punëdhënësve se nuk paska hapësirë për rritjen e pagës minimale.

 “Ajо që na shqetëson edhe më tej është fakti se pagat e ulëta në Maqedoni, paga minimale që është më e ulëta në rajon dhe në Evropë, si dhe paga mesatare që është gjithashtu më e ulëta në rajon dhe në Evropë, krijojnë presion shtesë mbi standardin jetësor të punëtorëve maqedonas, prandaj kur keni çmime të larta dhe paga të ulëta, kjo do të thotë se rritet edhe pragu i varfërisë”, theksoi tha Slobodan Trendafilov, Kryetar i LSM-së.

Ndërkaq, Ministri i Ekonomisë Besar Durmishi në emisionin Clik Plus më 15 dhjetor në TV 21 paralajmëroi se nga 1 janari, krahas shportës minimale sindikale, edhe Qeveria do të nisë me përllogaritjen e shportës mesatare të konsumit. Ajo do t’i referohet së paku një familjeje katër anëtarëshe dhe do të jetë temë shqyrtimi në Këshillin Ekonomiko-Social, të caktuar për më 22 dhjetor, të hënën. Siç sqaroi Durmishi, në përllogaritje do të përfshihen të dhëna nga marketet më të mëdha në vend, çmimet e produkteve bazë ushqimore, si dhe shpenzimet e domosdoshme për një jetë mesatare. Me këtë rast do të merren parasysh edhe dallimet rajonale, ndërsa për frutat dhe perimet do të përdoren produkte karakteristike për periudhën në të cilën bëhet përllogaritja.