Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, sot mori pjesë në zbulimin e tabelës në rrugën “Jusuf Gërvalla”, të emëruar sipas babait të saj, në hyrje të Çarshisë së Vjetër të Shkupit.
Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, si nikoqir i ngjarjes deklaroi se Jusuf Gërvalla, përveç se ishte patriot, ishte edhe njeri i shkrimit, kulturës.
Ministrja e Kosovës, Gërvalla në deklaratë para gazetarëve theksoi se ndihet shumë e privilegjuar dhe e nderuar, njëherit edhe me emocione lidhur me faktin se në qytetin e Shkupit, një rrugë do të mbajë emrin e Jusuf Gërvallës.
“Ky qytet ka një rol të madh në jetën e Jusuf Gërvallës, hapat e pare në gazetari I ka bërë në Shkup, në gazetën “Flaka e vllazërimit”. Kemi shumë lidhje familjare këtu, nëna ime është nga Shkupi. Emërtimi i një rruge me emrin e Jusuf Gërvallës është i rëndësishëm jo vetëm për familjen tonë, por për të gjithë ne, sepse ky qytet është shumë i çmuar që të harrohet kontributi kulturor”, tha Gërvalla.
Zbulimi i tabelës me emrin e ri të rrugës “Jusuf Gërvalla” ishte edhe shkas ministres Gërvalla për t’u shëtitur nëpër Çarshinë e Vjetër të Shkupit.
Intelektuali Jusuf Gërvalla së bashku me vëllain e tij Bardhosh dhe Kadri Zeka, janë vrarë në vitin 1982 në Gjermani.
