Vazhdon ndërtimi i bulevardit “Boris Trajkovski”, i cili është një projekt i rëndësishëm për lidhjen e qytetarëve nga lagjja Draçevë, Studeniçan dhe vendbanimet përreth në Komunën e Kisella Vodës me qytetin e Shkupit. Kryetari Orce Gjorgjievski tha se punohet me ritëm të përshpejtuar dhe se pritet përfundimi i punimeve para afatit të parashikuar. Ai theksoi gjithashtu se paralelisht me këtë projekt po punohet edhe në nyjën Momine Potok, si dhe në urën e Ljubljanës.
“Duke ndjekur dinamikën, nëse vazhdon kështu siç ka filluar kompania zbatuese të punojë, mendoj se shumë më herët se fundi i këtij viti kalendarik do të arrijmë realizimin. Shuma totale është rreth 2 milionë euro për realizimin e gjithë këtij segmenti, që do të thotë se besoj se para vitit të ri mbi 100 mijë qytetarë do të mund të lëvizin në një bulevard të ri dhe të sigurt”, tha Orce Gjorgjievski, kryetar i Qytetit të Shkupit.
