Moti i ligë, që në orët e vona të pasdites së djeshme përfshiu disa pjesë të Austrisë, gjatë natës goditi edhe pjesën më të madhe të Sllovenisë, ku u shkaktuan dëme në disa vende.
U shkaktuan përmbytje, ndërsa diku ra breshëri me madhësi të mollës. Për shkak të erës së fortë të stuhisë, shoferët e automjeteve në disa zona kërkuan mbrojtje nën mbikalime.
Dëmi më i madh, sipas informacioneve të deritanishme, është shkaktuar në zonën Domzhale, ku shërbimet e zjarrfikësve morën numër të madh thirrjesh për ndihmë.
Instituti Meteorologjik i Sllovenisë kumtoi se moti i ligë ishte pjesë e valës së ftohtë që shkon në lindje nga Evropa Qendrore, i ndjekur nga shirat e rrëmbyeshëm dhe breshëri dhe erëra të forta.
Në orët e mbrëmjes, paqëndrueshmëria lokale u shfaq edhe në pjesën veriperëndimore të brendshme të Kroacisë, me ç’rast u dha paralajmërim i verdhë për shkak të shirave dhe bubullimave të mundshme në atë zonë./MIA
