Ndryshimet në statutin e PD-së: Ngrihet komisioni i rithemelimit

TË FUNDIT

Kuvendi Kombëtar të shtunën e 11 dhjetorit me propozim të një grupi anëtarësh dhe me mbështetjen e 15% të delegatëve vendosi miratimin në parim të statutit të ri të Partisë Demokratike.

Një vendim i tillë u konfirmua nga drejtuesi i komisionit të Kuvendit Kombëtar, Belind Këlliçi.

Kuvendi vendosi ngritjen e Komisionit të rithemelimit të PD-së i përbërë nga Agron Shehaj, Albana Vokshi, Belind Këlliçi, Bujar Nishani, Edith Harxhi, Edi Paloka, Edmond Spaho, Ervin Minarolli, Flamur Noka, Genc Memaj, Genc Pollo. Gent Strazimiri, Keltis Kruja, Ledina Mandija, Mimoza Hajadrmamataj, Oerd Bylykbashi dhe Sali Berisha”, vijoi Këlliçi në fjalën e tij.

Ky komision do të ketë 29 anëtarë, përshkruhet gjithashtu si përgjegjës për organizimin dhe mbajtjen e proceseve zgjedhore brenda PD-së.

Krijimi i organeve të reja brenda të djathtëve, sipas nenit 65 të tij, fillon menjëherë dhe përfundon jo më vonë se tre muaj pas hyrjes në fuqi.

Në nenin 66 të statut të ri, legjitimohet anulimi i vendimi për shkarkimin e Berishës nga grupi parlamentar pasi u shpall ‘non grata’ nga SHBA.

Çdo akt i PD i ndërmarrë para hyrjes në fuqi të këtij statuti dhe që bie në kundërshtim me dispozitat e tij shfuqizohet automatikisht me hyrjen në fuqi të statutit, lexohet në nenin 66 të statutit të ri që mendohet të votohet sot.

Një tjetër pikë e rëndësishme e statutit të ri është ajo që legjitimon shkarkimin e menjëhershëm të kryetarit të Partisë, nëse partia humbet zgjedhjet e përgjithshme për Kuvend dhe, kalimin në një mocion mosbesimi në rast se partia humbet në zgjedhjet lokale

Pra, nëse ndryshimet statutore marrin fuqi, brenda marsit, demokratët mund të kenë një lidership të ri drejtues.

Kryetari zgjidhet sipas parimit “një anëtar një votë”.

Në pikën 8 që i referohet kryetarit të partisë thuhet: “Në rast se pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin, Partia Demokratike nuk rezulton forcë fituese qeverisëse, mandate përfundon menjëherë dhe automatikisht për shkak të Statutit. Në këtë rast, kryetarit që i përfundon mandate, nuk i lejohet kandidimi në zgjedhjet pasardhëse për kryetar partie”.

Në nenin 11 për Referendumet thuhet se në rast se Kryesia nuk përmbush detyrimin, kërkuesit caktojnë një grup ad hoc prej 10 anëtarësh të cilët verifikojnë firmat e kërkuesve dhe caktojnë datën e referendumit, që duhet të jetë jo më herët se 30 ditë nga data e publikimit të listës së kërkuesve të referendumit.

Ndërsa, çdo akt i organeve të partisë i ndërmarrë para hyrjes në fuqi të këtij statuti dhe që bie në kundërshtim me dispozitat e tij, shfuqizohet automatikisht me hyrjen në fuqi të statutit.

Në Kuvendin e thirrur nga Berisha, numri i delegatëve pjesëmarrës ka shkuar në mbi 4 mijë e 800. Pjesëmarrësit ndërkohë, kanë mbushur një faqe të tërë të stadiumit, me mijëra mbështetës të Berishës në dy tribuna kryesore.

Sipas procedurës, nëse ky kuorum e voton ndryshimin e statutit, atëherë vendimi merr efekt, pasi votohet nga mbi 50% e delegatëve.