Deputetët me 61 vota për, pas asnjë të përmbajtur apo kundër, vendosën me procedurë të shkurtuar të shqyrtohet Propozimi për plotësim të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, me çka duhet të mundësohet që deputetët të cilët janë në izolim për shkak të testit pozitiv për KOVID-19 apo për shkak të kontaktit me person me test pozitiv, të mund të kyçen në punën e Parlamentit nga distanca apo onllajn.
Propozimin, me të cilin parashihet që deputetët me test pozitiv për Kovid-19 dhe me vendim për izolim të mund të deklarohen në seanca plenare dhe në mbledhje të komisioneve kuvendore, e parashtroi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Kjo zgjidhje, tha Xhaferi duke e arsyetuar Propozimin, nuk do ta ndrshojë mënyrën e deritanishme të punës, por vetëm do të mundësojë që këta deputetë të mund të kyçen në punën e Parlamentit, e me këtë edhe do të mundësohet që ai të jetë tërësisht funksional.
Kryetari i Kuvendit tha se të gjithë që kanë vërejtje ndaj Propozimit për plotësim të Rregullores së Kuvendit, t’iu parashtrojnë dhe paralajmëroi se si propozues do t’i shqyrtojë të gjitha vërejtjet dhe propozimet.
Sipas Xhaferit, Propozimi, i cili është në procedurë të shkurtuar, pas votimit të nevojës për miratim, duhet të kalojë në Komision, e më pas të kthehet për votim në mbledhje plenare.
Mbledhja e 22-të e Kuvendit vazhdon me konstatimin e rendit të ditës.
