Ndryshimet në Kodin Penal me shpejtësi të madhe, Kallajxhiev: Nuk janë të mira ndryshimet jo të plota

TË FUNDIT

Ndryshimet në Kodin Penal, të cilat kohët e fundit u paraqitën në Kuvend nga deputetët e VMRO-DPMNE-së, së shpejti do të dalin për debat në organin ligjvënës dhe lidhen me ato ndryshime kontroverse të nenit 353 të miratuara në vitin 2023, me të cilat amnistohen funksionarët për keqpërdorime të detyrës zyrtare. Për këto ndryshime insistoi edhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, i cili vendosi edhe afat që ato të miratohen deri në fund të vitit. Profesori Gordan Kallajxhiev thotë se nuk është e mirë që ligji të ndryshohet vazhdimisht dhe se më e mira do të ishte miratimi i Kodit të ri Penal, të përgatitur nga Ministria e Drejtësisë, por më parë të zhvillohet edhe një debat publik mbi të.

 “Nuk do të shkoja përgjithësisht me ndryshime të pjesshme, nuk japin rezultat. Nuk është serioze nga aspekti se kur përgatitet Kodi i plotë Penal, ai deri tani duhej të ishte vënë pak më shumë në debat publik. Nuk shoh të ketë pasur një debat më serioz të hapur”, tha Gordan Kalajxhiev, profesor.

Por, Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE, i cili është një nga nënshkruesit e atij ligji, thotë se nevoja për miratimin e këtyre ndryshimeve të pjesëshme është e domosdoshme.

 “Në vendin tonë aktualisht ka dy procese nga aspekti i Kodit Penal: një që po përgatitet në Ministrinë e Drejtësisë, i cili është pjesë e agjendës së reformës, dhe që do të miratohet në vitin 2026, dhe kjo zgjidhje e përkohshme që ne si grup deputetësh e kemi dorëzuar për të parandaluar amnistinë për një pjesë më të madhe të grupit të njerëzve që kanë kryer vepra penale sipas këtyre kategorive, por edhe për të siguruar shtetin e së drejtës të paktën deri sa të miratohet Kodi i ri Penal”, u shpreh Bojan Stojanovski, VMRO-DPMNE.

Këto ndryshime miratohen për të korrigjuar ndryshimet kontroverse të miratuara në vitin 2023, të cilat mundësuan që një numër i madh funksionarësh të shpëtonin nga ndjekja penale dhe për të cilat edhe Bashkimi Evropian kishte kritika të qarta. Një pjesë e reagimeve në publik janë edhe rreth dënimeve të parashikuara, sepse ato janë më të larta krahasuar me ndryshimet e vitit 2023, por shumë më të lehta krahasuar me versionin e mëparshëm.

“Përgjithësisht nuk do të thoja kurrë se dënimet janë të lehta , dënimet tona në parim janë shumë të rrepta, mbështeten në një supozim të gabuar se me dënime të rrepta do të kompensojmë gjithçka që kemi lënë pas nga parandalimi i krimit. Krahasuar me shtetet e huaja, politika jonë penale është e ashpër”, shtoi Gordan Kalajxhiev, profesor.

Në ndryshimet e Kodit Penal që janë dorëzuar në Kuvend, përveç dispozitave për nenin 353, i cili lidhet me veprat penale të funksionarëve, parashikohen edhe dënimet nga projekti “Safe City”, përfshirë konfiskimin e automjetit për drejtim të pakujdesshëm të makinës.