Ndryshimet kushtetuese “peng” i VMRO dhe VLEN – Bisedimet për këtë temë pas zgjedhjeve, thonë të dyja palët

TË FUNDIT

VMRO-DPMNE dhe VLEN, të cilët thonë se do të jenë koalicionuesit e ardhshëm qeveritar, ende nuk kanë një qëndrim përfundimtar lidhur me miratimin e ndryshimeve kushtetuese, që janë kusht për vazhdimin e rrugës së integrimit europian. Për këtë temë duket se ende do të ketë përplasje, sepse nga njëra anë Mickoski thotë se nuk pranon kushte me ndryshimet kushtetuese, por nga ana tjetër VLEN-i mbetet në qëndrimin e tij se ndryshimet në Kushtetutë janë prioritet për ta.

Dje si Kasami ashtu edhe Gashi dolën me deklarata se koalicioni i tyre është garant i miratimit të ndryshimeve kushtetuese, për të cilat, siç u theksua, ekziston një kornizë dhe afate të veçanta për zbatimin e këtij detyrimi dhe se kjo është kusht për qeverinë e ardhshme. Izet Mexhiti sot në lidhje me këtë tha se për momentin janë të fokusuar në fushatë dhe pasi të ulen të bisedojnë me VMRO-DPMNE-në do të paraqesin qëndrimin e tyre.

-E kemi thënë edhe më parë dhe tani që jemi të interesuar të jemi faktor për një qeveri që do të jetë e orientuar drejt NATO-s dhe Bashkimit Europian, për ne është prioritet, por tani jemi të fokusuar në fushatë, në programin tonë, në kontaktet me qytetarët. Kur të ulemi, këto pikëpamje do t’i diskutojmë në tryezë. Qëndrimi ynë është i qartë, nuk mendoj se dikush ka dyshime për qëndrimin e VLEN-it për integrimin europian”, tha Izet Mexhiti, VLEN.

Edhe Mickoski thotë se janë të fokusuar në fushatë dhe se pas zgjedhjeve do të diskutohet për ndryshimet kushtetuese. Megjithatë, ai përsëriti se nuk do të pranojë shantazhe për ndryshime kushtetuese.

“VMRO-DPMNE dhe qëndrimi im personal është që unë nuk funksionoj në bazë të shantazheve, në bazë të kërcënimeve, prandaj le të përfundojnë zgjedhjet më 8 maj dhe do të diskutojmë për shumë gjëra. Do të ulemi dhe do të bisedojmë me të gjitha partitë politike në Maqedoni që janë opozitare, kjo që thamë është një konsensus politik shoqëror që është shumë i rëndësishëm për ne kundër partive qeveritare”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Fronti Europian dhe VLEN paraprakisht kanë pohuar ndryshimet kushtetuese janë kusht për formimin e Qeverisë. Fronti Evropian madje vendosi në mënyrë specifike një kusht, fillimisht të bëhen ndryshimet kushtetuese dhe më pas një marrëveshje për një koalicion qeveritar.