Bëtë shumë deri më tani dhe duhet ta vazhdoni rrugën për anëtarësim në BE, nëse nuk doni që të rinjtë të ikin për në Europë. Duhet Europën ta sillni këtu. Këtë e tha ministrja gjermane, Analena Berbok në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e jashtëm Bujar Osmani. Ajo e theksoi rëndësinë e miratimit të ndryshimeve kushtetuese duke thënë se duhet ulur së bashku me opozitën dhe të tejkalohen interesat partiake.
https://www.youtube.com/watch?v=ULR5o98bKZQ
“Shfrytëzojini të gjitha mundësitë që procesi të vazhdojë gjatë muajve në vijim, të mos ndodhë që të dështoni në këtë pengesë kryesore. Ndryshimet e dakorduara të Kushtetutës nuk guxojnë të bëhen mollë sherri në garën për populizëm në anketat. Duhet së bashku të uleni në tryezë me opozitë, mendoj se kjo është forca e demokracisë, në momente të këtilla të mos jetë në vend të parë libreza partiake ose zgjedhjet.”- deklaroi Analena Berbok, ministre e Jashtme e Gjermanisë.
Ministri i jashtëm Bujar Osmani tha se ky Kuvend duhet t’i votojë ndryshimet kushtetuese, duke iu përgjigjur deklaratës së kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski i cili kohë më parë tha se kjo përbërje e Kuvendit nuk do t’i votojë ndryshimet kushtetuese. Osmani tha se ndryshimi i Kushtetutës nuk është me rëndësi kaq të madhe sepse bullgarët edhe tani janë në Kushtetutë në kategorinë “të tjerë” dhe se kjo gjë duhet t’u shpjegohet qytetarëve e jo të jetë debati i interesave politiko-partiake.
“Unë mendoj se kjo përbërje parlamentare duhet t’i mbarojë ndryshimet kushtetuese për shumë arsye. Së pari, nëse nuk realizohen deri në nëntor, negociatat ndërpriten me të gjitha pasojat psikologjike dhe administrative. Së dyti, Shqipëria sigurisht do ta vazhdojë rrugën. Së treti, me marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Ohër, patjetër do të ketë një rrugë të përshpejtuar. Kjo do të thotë se ne do të mbetemi të izoluar.”- deklaroi Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm.
Ministrja gjermane Berbok zvilloi takime edhe me presidentin e shtetit Stevo Pendarovski, me deputetët e Kuvendit, ku tema kryesore ishin ndryshimet kushtetuese.
