Ndryshimet kushtetuese, Murtezani: Janë prioritet, kanë hyrë edhe në programin e Qeverisë

TË FUNDIT

Ministri për çështje europiane Orhan Murtezani mendon se duhet të bëhen ndryshimet kushtetuese sepse pa to Maqedonia nuk mund t’i vazhdojë negociatat me BE. Por cili është qëndrimi i këtij koalicioni në lidhje me pozitën e kryeministrit Mickoski për zbatimin e prolonguar të ndryshimeve kushtetuese?

“Siç e dini, ne në fushatën parazgjedhore, flas si pjesë e koalicionit VLEN, kemi theksuar se ky është një nga prioritetet kyç që ka hyrë edhe në programin e Qeverisë si një nga prioritete e saj. Ne e dimë se pa zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë, përkatësisht pa ndryshimet kushtetuese nuk mund të zhbllokohet rruga drejt BE-së”, tha Orhan Murtezani.

Ministri Murtezani foli edhe për shkallën e përdorimit të fondeve IPA. Ai tha se sipas mjeteve që janë në dispozicion Maqedonia ka lidhur kontrata për vetëm një të tretë.

Murtezani paralajmëroi se do të merren masa për përmirësimin e aftësive për shfrytëzimin e mjeteve të fondeve IPA. Mungesa e kuadrove profesionale në të gjithë strukturën e IPA është arsyeja për shfrytëzimin e pamjaftueshëm të fondeve europiane, tha ministri Murtezani.