“NDIQENI SHEMBULLIN E ZAEVIT DHE CIPRASIT”, MERKEL ME POROSI PËR VENDET E BALLKANIT PERËNDIMOR

TË FUNDIT

Ballkani Perëndimor ka perspektivë evropiane, por megjithatë paraprijnë shumë kushte që duhet të përmbushin vendet e kësaj pjese të Evropës që bëhen pjesë e BE-së, porositi kancelarja gjermane, Angela Merkel në video porosinë. Mesazhi vjen me rastin e Samitit për Ballkanin Perëndimor, që është në margjina të procesit të Berlinit dhe do të mbahet të premten në Poznanj të Polonisë.

“Shumë qytetarë gjerman kanë raporte personale me njerëz nga Ballkani Perëndimor, shumë njerëz nga Ballkani Perëndimor jetojnë në Gjermani dhe paraqesin urë mes këtyre shteteve. Qytetarët e atij rajoni janë fqinjët tanë dhe perspektiva e tyre është që të bëhen pjesë e BE-së, nëse i plotësojnë gjitha kushtet”, deklaroi Kancelarja gjermane, Angela Merkel

Sot gjendja në Ballkanin Perëndimor është e qetë, por ka sfida që duhet të zgjidhen dhe duhet të plotësohen kushtet që vendet të përgatiten për hyrje në BE. Rruga është me pengesa, thotë kancelarja gjermane. Sipas saj edhe pse konfliktet e armatosura të viteve ’90 janë tejkaluar, në këto vende ende ka konteste të hapura që duhet të zgjidhen.

“Por, ekzistojnë shembuj pozitiv. Për shembull: zgjidhja e kontestit për emrin e vendit që tani quhet Maqedonia e Veriut. Ky kontest për emrin ka zgjatur me vite dhe me guximin politik të kryeministrave, të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe të Greqisë, Aleksis Cipras, arritën që ta zgjidhin atë konflikt dhe me këtë hapet perspektiva e Maqedonisë së Veriut për fillim të negociatave me BE-në dhe hyrje në NATO.  Shembulli i tillë pozitiv duhet të jetë inkurajues për zgjidhje të problemeve në Bonjë e Hercegovinë, si dhe mes Serbisë dhe Kosovës”, potencoi Angela Merkel, Kancelare gjermane.

Në Poznanj më 5 korrik do të mbahet konferenca për Ballkanin Perëndimor, ku do të marrë pjesë edhe Merkel, me nismë të së cilës në vitin 2014 u ngrit procesi i Berlinit, me qëllim që të përshpejtohet dialogu dhe mundësia për bashkëpunim mes vendeve të rajonit.

Përgatiti: Edin Rastoder