Ndërroi jetë gazetarja dhe redaktorja Gordana Duvnjak

TË FUNDIT

Pas një sëmundjeje të gjatë, ka ndërruar jetë gazetarja dhe redaktorja Gordana Duvnjak, një nga figurat e njohura të gazetarisë në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht në fushën e politikës dhe drejtësisë. Ajo la pas një karrierë të pasur dhe të rëndësishme që zgjati më shumë se tre dekada.

Duvnjak e filloi karrierën e saj gazetareske në vitin 1988 në Radio-Televizionin e Maqedonisë, ku punoi për dy vjet. Nga viti 1991 deri në 1999 ishte pjesë e redaksisë së gazetës “Nova Makedonija”, ndërsa më pas vazhdoi në “Utrinski Vesnik”, ku nga viti 1999 deri në 2017 punoi si gazetare dhe redaktore.

Në vitin 2017 iu bashkua agjencisë së lajmeve “Makfax”, ndërsa një vit më vonë u bë pjesë e televizionit “1TV”, ku gjithashtu mbajti funksion redaktorial. Që nga viti 2019 punoi në të përjavshmen “Fokus”.

Lajmin për vdekjen e saj e bëri të ditur djali i saj, Martin Duvnjak, përmes një mesazhi emocional, ku e përshkruan si “grua luftëtare, nënë siç çdo fëmijë mund ta dëshirojë dhe profesioniste të lartë”.

Familja thekson se ajo ka qenë një shtyllë dhe mbështetje e madhe, një nënë e përkushtuar që ka dhënë gjithçka për familjen dhe rrugën e tyre të jetës.

Varrimi do të mbahet nesër (e mërkurë) në orën 11:00 në kapelën në Butel, ndërsa në orën 12:00 në varrezat e Butelit.

Me ndarjen e saj nga jeta, gazetaria në Maqedoninë e Veriut humb një profesioniste me përvojë dhe përkushtim të madh. Gordana Duvnjak ishte 61 vjeç.