Në ambientet e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka ndërruar jetë edhe 31-vjeçarja, e dyshuar për vrasjen e dyfishtë në Majac të Podujevës. Lajmin për RTV21 e ka konfirmuar zëdhënësja e QKUK-së, Mirlinda Qyqalla.
Më herët është konfirmuar edhe vdekja e 73-vjeçares e cila ishte e plagosur.
Kurse në vendin e ngjarjes, në Majac të Podujevës, të dielën kur dyshohet të ketë ndodhur rasti është gjetur edhe një person rreth moshës 40-vjeçare i vrarë në një veturë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se hetimet për rastin po vazhdojnë, meqë motivet janë ende të panjohura për autoritetet.
Në komunikatën për media, Prokuroria ka bërë të ditur se autoritetet kanë sekuestruar një armë zjarri, dhe disa gëzhoja, si dhe disa prova të tjera materiale relevante në vendin e ngjarjes.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur në raportin e saj ditor se më 22 mars e ka gjetur të vdekur një burrë në një makinë në të njëjtin fshat, ndërsa brenda në shtëpi janë gjetur dy gra me plagë të rënda.
Në javën që lamë pas janë regjistruar tre persona tjerë të vdekur, si pasojë e të shtënave me armë zjarri: një në Podujevë, një në Klinë dhe një në Gjakovë.
