Ndërroi jetë aktori Goce Todorovski

TË FUNDIT

Skena kulturore e Maqedonisë ka humbur një nga emrat më të njohur të aktrimit. Ka ndërruar jetë Goce Todorovski, doajen i teatrit dhe kinematografisë maqedonase, i cili për dekada me radhë la gjurmë të pashlyeshme në teatër, film, televizion dhe radio.

Lajmin e hidhur e bëri të ditur vajza e tij, Sashenka Todorovski, përmes një postimi në rrjetet sociale.

“E humbëm, u dorëzua. Goce Todorovski ndërroi jetë. Familja Todorovski njofton me pikëllim lajmin më të trishtë. Pas një beteje të gjatë ai u largua nga kjo botë. U prehsh në paqe, babai im. Shpirti nuk vdes, ndërsa trupi ishte tepër i lodhur. Fluturo me engjëjt…”, shkroi ajo.

Goce Todorovski lindi më 30 prill 1951 në Kërçovë. Pas diplomimit në Fakultetin e Arteve Dramatike pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, ai e nisi karrierën profesionale në Teatrin Dramatik të Shkupit, ku ndërtoi një opus të pasur artistik dhe interpretoi edhe në teatro të tjera në vend.

Publiku do ta kujtojë për rolet e tij në serialet televizive “Maqedonski Narodni Prikazni”, “Itar Pejo”, “Bulki kaj Shinite”, “Treto Doba”, “Bushava Azbuka”, “Trst via Shkup” dhe shumë të tjera, si edhe për interpretimet në filmat “Sheqerna Prikazna”, “Sreќna Nova ’49”, “Vikend na Mrtovci”, “Bol” dhe “Zhenski Orkestar”.

Gjatë karrierës së tij bashkëpunoi me regjisorë të njohur maqedonas, duke lënë një kontribut të çmuar në artin dramatik të vendit. Për veprimtarinë e tij shumëvjeçare u nderua me një sërë çmimesh, ndërsa vitin e kaluar mori edhe Çmimin Shtetëror “23 Tetori” për arritje të veçanta në kulturë dhe art.

Vepra dhe kontributi i Goce Todorovskit do të mbeten pjesë e rëndësishme e historisë së teatrit dhe kulturës maqedonase.