Është ndërprerë hetimi për 11 zyrtarë policorë dhe shefa, të cilët ishin të dyshuar për zjarrin në kabarenë “Puls” në Koçan për veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” me pasoja vdekjeprurëse.
Vendimi nga Prokuroria është marrë pasi u vlerësua se këta persona nuk mund të mbahen përgjegjës për veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, pasi kompetencat e tyre ligjore nuk kanë përfshirë kontrollin e masave kundër zjarrit, por kanë qenë të kufizuara në verifikimin e sigurisë në komunikacion dhe në sigurimin e një numri të mjaftueshëm vend parkimesh për objektin. Në urdhëresë po ashtu thuhet se, “në përputhje me Ligjin për veprimtari hotelierike, ata kanë qenë të detyruar të kryejnë kontrolle ekskluzivisht në aspektin e mbrojtjes së rendit dhe qetësisë publike dhe sigurisë në komunikacion”.
Pala mbrojtëse e disa të akuzuarave të tjerë tërheqin vëmendjen se disa duhen të lirohen.
Avokati Sinisha Stankoviq, i cili mbron njërin nga kryetarët e mëparshëm të Koçanit shpreh kritika për aktakuzën ndaj të gjithë ish-funksionarëve dhe nëpunësve shtetërorë, të cilët nuk kanë pasur asnjë ndikim direkt në ngjarjen e 16 marsit të vitit të kaluar kur ndodhi tragjedia.
“Mbrojtjes akoma nuk i ka ardhur radha t’i parashtroj argumentet në seancë, me të cilët do të vërtetohet pafajësia, sikurse ish-kryetarin e komunës që ne e mbrojmë ashtu edhe personat e tjerë, të cilët më herët kanë punuar në Ministrinë e Ekonomisë 2012-2013 por edhe të disa nëpunësve të tjetrë shtetërorë. Ata në fjalimet hyrëse kanë dhënë dëshmitë e tyre dhe nga të njëjtit mund të konkludojmë se pa arsye edhe ata po ndiqen penalisht në këto procedura”, u shpreh Sinisha Stankoviq – avokat.
Avokati me përvojë shumëvjeçare thotë se çdo i pandehur ka të drejtën të mbrohet dhe mos të ndodhë vetëgjyqësia derisa organet kompetente e vërtetojnë fajësinë apo pafajësinë. Ai thotë se palët janë vënë para një presioni që duhet ndaluar derisa të dëgjohen argumentet e të gjithëve.
“Në një mënyrë po tallen me ne! Por, unë siç vërejtja përmes mjeteve të informimit njoftimin nga Oda e Avokatëve që kanë sqaruar rolin tonë në një formë korrekte në procedurë, që ne ju ofrojmë ndihmë juridike atyre personave që i mbrojmë sepse është e drejta e tyre ligjore si e çdo qytetari tjetër, por pak kush që e publikoi. Me këtë qasje duhet të ndalohet dhe të lejohet vazhdimi i procesit gjyqësor normalisht që në fund të ketë një aktgjykim të qëndrueshëm ligjor”, theksoi avokati Sinisha Stankoviq.
Hetimi i lidhur me “Puls” po zhvillohet edhe ndaj 12 zyrtarëve të tjerë policorë dhe shefave. Gjyqi që ka nisur është për të njëjtën vepër penale, “Vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”, ndaj 35 të akuzuarve, çka ka shkaktuar edhe reagime publike për faktin se janë akuzuar ish-funksionarë të cilët po ashtu nuk kanë pasur kompetenca për kontrollin kundër zjarrit. Në zjarrin që ndodhi më 16 mars të vitit të kaluar humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 të tjerë u plagosën rëndë.
