Kështu duket sot kompleksi “Diamond of Skopje – Limak” ku dy ditë më parë një punëtor me shtetësi turke e humbi jetën gjatë punës.
Inspektorati i Punës ka ndaluar urgjentisht të gjitha punimet në këto objekte.
Nga atje për TV21 dhanë detaje se si ka ndodhur ngjarja që i mori jetën 34-vjeçarit. Ai ka rënë nga një lartësi prej 10 metrave, ndërsa ka qenë duke vendosur kartonë të gipsit, i hipur në një pajisje elektrike për punë në lartësi, me pjesë shtesë për ngritje të platformës.
Tragjedia ka ndodhur rreth orës 18, por siç pohojnë nga Inspektorati, kompania Limak nuk kishte njoftuar se do të punohet edhe pas orarit të rregullt. Për këtë u shqiptuar gjobë.
“Nga inspektimi është konstatuar se punëdhënësi në ditën kur ka ndodhur ngjarja më 02.05.2023, rreth orë 18:00, pas përfundimit të orarit të rregullt të punëtorit, më parë nuk ka njoftuar me shkrim Inspektoratin Shtetëror të Punës se ka edhe punë jashtë orarit. Për këtë parregullsi, punëdhënësit i është shqiptuar gjobë”, thonë nga Inspektorati Shtetëror i Punës.
Kryetari i Sindikatës për Ndërtimtari, Ivan Peshevski, pohon se e kanë paralajmëruar Inspektoratin e Punës vite më parë për parregullsi dhe punë në të zezë nga kompania Limak, por vetëm pas dy vitesh, sipas tij, Inspektorati doli në inspektim.
“Për ato punëtorë në të zezë të cilët kemi informata nga kolegët tanë se punojnë nëpër ndërtimore, ato numra janë rreth 3-4 mijë të punësuar për momentin në territorin e gjithë shtetit. Ne para disa viteve, ndoshta para tre viteve kemi denoncuar në Inspektoratin Shtetëror për Punë se kemi informata që pikërisht në Qendër të Shkupit mbi 250 punëtorë nga numri i përgjithshëm i punëtorëve te kryerësi i punimeve Limak, punojnë në të zezë. Mirëpo shumë më vonë pas denoncimit, vitin e kaluar, doli inspektorati në teren dhe gjeti 97 punëtorë në të zezë në atë ndërtimore e ku pardje patëm ngjarje të pakëndshme që një qytetar i Republikës së Turqisë vdiq në vendin e punës”, deklaroi Ivan Peshevski, kryetar i Sindikatës për Ndërtimtari.
Sipas Peshevskit, orari i stërzgjatur dhe puna në dy ndërrime për të nxjerë të holla shtesë në fund të muajit, sjellë lodhjen e punëtorëve dhe pasojat janë fatale.
“Duke pasur parasysh se duke vrapuar për një copë bukë, të punësuarit pa dallim nëse janë nga vende të huaja apo vendas, mbetet në atë se ka shumë orë pune të paparaqitura dhe si pasojë vjen lodhja që e kanë ato të punësuar. Sikur nuk ka punë në ndërrime në ato ndërtimore. Të njejtit njerëz i shohim edhe në ndërrimin e parë edhe në të dytin. Normalisht se pasojat janë katastrofale. Në fund të ditës del se jeta e njeriut për atë të punësuar se do të sjellë pak më tepër mjete në fund të muajit në shtëpi, del se në shtëpi ai fare nuk do kthehet i gjallë”, tha Ivan Peshevski, kryetar i Sindikatës për Ndërtimtari.
Nga Inspektorati i Punës për TV21 thanë se që gjatë vitit 2022, në gjithë shtetin janë kryer 24,965 inspektime. Për parregullësi janë sjellë 6111 vendime. Për shkelje të ligjeve janë shqiptuar 550 gjoba, janë ngritur 84 procedura kundërvajtëse dhe janë ngritur 14 kallëzime penale.