Ndarja me Shqipërinë gjithnjë e më e afërt? Mickoski akuza se me Sofjen po negociohet prapa perdeve

TË FUNDIT

Ndarja e pakos eurointegruese Shkup-Tiranë gjithnjë e më hapur po përmendet nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

“Nëse edhe pas Presidencës franceze nuk do të realizohet hapja e konferencës është e pakuptimtë që ne të presim në pafundësi që Bullgaria të lirojë pengun e vet, kur flasim për pengje, Maqedonia e Veriut është realisht peng dhe kjo mund të vazhdojë pafund gjë që është komplet e padrejtë për Shqipërinë që i ka plotësuar detyrat prej vitesh tanimë”, deklaroi Rama.

Po deri ku janë bisedimet me Sofjen? Duke folur për kontestin, Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se po udhëhiqen në nivel të ekspertëve, ndërsa Ministria e Jashtme do të informojë për rezultatet pas takimeve.

“Sapo të ketë zgjidhje të pranueshme për të dyja palët, normalisht se do të ndahet me opinionin dhe nëpër institucione të cilat këtë zgjidhje do të duhet ta miratojnë me dispozitat ligjore e kushtetuese të shtetit”, u shpreh Kovaçevski.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski thotë se nuk do të pranoj çfarëdo marrëveshje me Sofjen, ndërsa akuzon edhe se po bëhen marrëveshje prapa perdeve!

“Me siguri se ka ndonjë pazar pas perdes dhe prandaj VMRO-DPMNE një Pazar të tillë, të fshehur nga opinioni , qeveria e ardhshme, ky është mesazhi drejtuar Petkovit, Radevit dhe të gjithë që e falsifikojnë këtë proces, nuk ka ndërmend ta mbështesë”, tha Mickoski.

Sipas Mickoskit pozitat negociuese rrënohen sepse po bëhet pazar me identitetin e popullit dhe identitetin e shtetit.