Qeveria rekomandon ndalimin e RT dhe Sputnik, operatorët kabllorë vazhdojnë t’i transmetojnë

TË FUNDIT

Qeveria në seancën e djeshme solli vendim që të gjithë operatorët kabllorë të informohen se duhet t’i heqin nga transmetimi mediat shtetërore ruse “Russia Today” dhe “Sputnik”. Për këtë, është dërguar kërkesë deri te Agjencia e Mediave, e cila duhej t’i njoftonte të gjithë operatorët për këtë vendim.

“Qeveria i rekomandoi Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele t’i informojë të gjithë operatorët kabllorë të Maqedonisë së Veriut që t’i përjashtojnë kanalet ku si themelues paraqitet Federata Ruse ose persona privatë, juridikë apo fizikë me prejardhje nga ky shtet“, thonë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.


Por, edhe përkundër kësaj, sot operatorët kabllorë vazhduan t’i ritransmetojnë programet e këtyre televizioneve ruse. Tentuam të kontaktojmë me disa operatorë, por pa sukses. Edhe nga ASHMAA kërkuam qëndrim lidhur me atë nëse kanë vepruar në përputhje me vendimin.

“Agjencia përmes një shkrese i informoi të gjithë operatorët e rrjetit publik të komunikimeve elektronike, se në qoftë se me këtë shkyçje nuk pësojnë ndonjë dëm financiar, menjëherë t’i largojnë nga transmetimi këto kanale sa më shpejt që është e mundur dhe jo më gjatë se tri ditë nga dita e marrjes së shkresës ta informojnë Agjencinë për aktivitetet që i kanë ndërmarrë“, theksojnë nga ASHMAA.

Vendimi i këtillë i Qeverisë vijoi pasi BE-ja ndaloi transmetimin e këtyre kanaleve. Në këto momente duhet të luftojmë kundër dezinformatave që i plasojnë mediat ruse, sepse Putini nuk dëshiron ta kontrollojë vetëm hapësirën, por edhe trurin e njerëzve, deklaroi shefi i diplomacisë evropiane, Zhozep Borell.

“Duhet të luftojmë kundër kontrollit shtetëror rus, sepse dezinformatat po bëhen tejet të mëdha, e tani kalojnë në një propagandë të tërësishme ushtarake. Do të ndalojmë që “Russia Today” dhe “Sputnik” të transmetohen në BE, sepse janë kampionë në manipulim me informacione”, theksoi Zhozep Borell, përfaqësues i lartë i BE-së për politikë të jashtme.

Në ndërkohë edhe kanali Youtube bëri me dije se do të ndërmarrë masa kundër këtyre kanaleve në platformën e tij, me çka do ta kufizojë qasjen deri te kanali televiziv “Russia Today”.