Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi njoftoi se nga sot deri më 20 mars Qeveria ka ndaluar eksportin e disa drithërave dhe produkteve tjera, përcjell TV21. Bekteshi tha se qëllimi i kësaj mase është mbrojtja e tregut vendor.
“Grurë dhe thekër, elb, misër, miell nga gruri dhe thekuri, farë luledielli, vaj nga fara e lulediellit. Duke marrë parasysh invazionin e Rusisë në Ukrainë dhe reperkusionet që në një situatë të këtillë janë jo vetëm për tregjet evropiane, por edhe ato botërore, mund të them se tani jetojmë në një nga krizat më të mëdha ekonomike botërore”, tha mes tjerash Bekteshi.
Bekteshi tha se kërkesa për ndalimin e eksporteve për këto produkte është kërkesë e Ministrisë së Bujqësisë.
“Si rezultat i pritjeve se do të ndodhin çrregullime serioze për shkak të mungesës së mallrave që janë të domosdoshme për prodhimin, përpunimin dhe jetën dhe shëndetin e qytetarëve, Ministria e Ekonomisë në përputhje me Ligjin për Tregti i propozoi Qeverisë që të bëhet pikërisht kufizimi i eksportit të produkteve të caktuara, me kërkesë të Ministrisë së Bujqësisë”, tha Bekteshi.
