NATO me strategji të re: Do mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit tonë

TË FUNDIT

Samiti i jashtëzakonshëm i NATO-s në Madrid, tregoi edhe njëherë se aleanca ushtarake është më e bashkuar se kurrë ndaj rrezikut që quhet rusi, të gjithë deklaruan se Moska tashmë përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e aleancës.  

Ndërkohë një ditë pasi Turqia hoqi dorë nga kundërshtimi për anëtarësimin në NATO të Finlandës dhe Suedisë, Stoltenberg njoftoi zyrtarisht ftesën ndaj dy vendeve për tu bashkuar aleancës.

“Sot NATO mori një vendim historik duke ftuar Finlandën dhe Suedinë që të bëhen anëtarë të aleancës sonë ushtarake. Marrëveshja e arritur një natë më parë me Turqinë i hapi rrugë këtij vendimi”, tha Stoltenberg.

Shefi i NATO-s tha se tani aleanca ka një koncept të ri mbi strategjinë. NATO, tha premton të “mbrojë çdo pëllëmbë” të territorit të saj.

Stoltenberg konfirmoi gjithashtu se mbështetja ndaj Ukrainë nuk do të ndalet.

“Ne do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën për sa kohë që të jetë e nevojshme. Ne do të ndihmojmë atë të kalojë nga pajisjet e epokës sovjetike në pajisjet moderne të NATO-s, të forcojë ndërveprimin dhe të forcojë më tej mbrojtjen e saj”, tha Stoltenberg për Ukrainën.

Po përveç NATO-s edhe Shtetet e Bashkuara do të ndryshojnë strategjinë ushtarake në Europë.

“Shtetet e Bashkuara do të përmirësojnë situatën e forcave tona në Europë dhe do t’i përgjigjen mjedisit në ndryshim të sigurisë, si dhe do të forcojnë atë kolektive. SHBA-të po krijojnë një seli të përhershme në Poloni, do dërgojnë dy skuadrilje shtesë avionësh luftarakë F-35 në Mbretërinë e Bashkuar dhe do të nisin më shumë mbrojtje ajrore e kapacitete të tjera në Gjermani dhe Itali”, tha Biden.

NATO sot  është më  e fortë dhe e bashkuar, tha presidenti Biden duke shtuar se hapat e rrisin më tej fuqinë e përbashkët të aleancës.