Shefat e diplomacive të 30 vendeve anëtare të NATO-s sot konfirmuan se fokusi i veprimit të mëtutjeshëm i Aleancës do të jetë evakuimi i sigurt i shtetasve të tyre dhe i shtetasve të Afganistanit nga Kabuli dhe iu bënë thirrje talebanëve, të cilët e formuan qeverinë e re, të luftojnë kundër terrorizmit.
Pas mbledhjes së sotme onllajn të ministrave të Punëve të Jashtme, e thirrur për shkak të situatës në Afganistan, NATO përmes një kumtese u bëri thirrje autoriteteve të reja talebane që të kenë kujdes që ky vend të mos bëhet qendër e terrorizmit.
“Secila qeveri e ardhshme afgane duhet t’i respektojë detyrimet ndërkombëtare të Afganistanit dhe të sigurojë se vendi asnjëherë më nuk do të shërbejë si strehë e sigurt për terroristët”, thuhet në kumtesën e Aleancës.
Disa nga vendet anëtare sot i bënë thirrje SHBA-së që ta sigurojnë aeroportin në Kabul aq sa është e nevojshme, madje edhe pas evakuimit të të gjithë shtetasve amerikanë, sepse shumë shtete aleate dërgojnë aeroplanë të tyre që të marrin sa më shumë njerëz prej atje.
Në kumtesën e përbashkët anëtaret theksuan se derisa zgjasin operacionet për evakuim, ata do të mbajnë bashkëpunim të ngushtë operativ ushtarak në aeroportin në Kabul.
“Detyra jonë tani është ta përmbushim detyrimin tonë dhe të vazhdojmë me evakuimin e sigurt të qytetarëve tanë, shtetas të vendeve partnere dhe grupet e ndjeshme të afganëve, veçanërisht ata të cilët ndihmuan në përpjekjet tona”, shtohet në kumtesën e NATO-s.
NATO-ja i udhëhiqte operacionet ndërkombëtare të sigurisë në Afganistan nga viti 2003, por i përfundoi operacione luftarake në vitin 2014 dhe u përqendrua në trajnimin e forcave nacionale të sigurisë së vendit prej 300.000 personave, të cilët për vetëm disa ditë ishin mundur në ofensivën talebane të javës së kaluar.
