Natë e “elektrizuar” në Sllupçan / Banorët bllokuan rrugën në shenjë revolte ndaj EVN-së

TË FUNDIT

Me zjarre të ndezura në mes të rrugës, duke e bllokuar hyrjen kryesore në Sllupçan, banorët e këtij fshati në Komunën e Likovës protestuan në shenjë revolte ndaj EVN-së që ua ndërpreu rrymën duke i lënë në errësirë.

Kjo shkaktoi kolona të makinave.

Siç u mësua, deri në këtë pike erdhi pas mosmarrëveshjes mes banorëve dhe EVN-së që matësit e rrymës të nxirren jashtë shtëpive, me pretekstin për të shmangur vjedhjen e rrymës, gjë që u kundërshtua nga banorët.
Nga EVN deklaruan se banorët thyen drynat dhe me dhunë hynë në një objekt energjetik, pas çka lanë disa fshatra pa energji. Thonë po ashtu se banorët e Sllupçanit nuk e lejojnë EVN-në që t’i përmbush obligimet për mirëmbajtjen, përmirësimin dhe instalimin e sistemeve për matjen e saktë të energjisë elektrike.

“Ekipet e Elektrodistribuimit nuk mund ta rregullojnë defektin derisa të marrin garanci të forta se do të mundësohen kushtet normale të punës. Vjedhja e energjisë elektrike në këtë fshat është 80% dhe arkëtimi është vetëm 20%”, thanë nga EVN.

Disa orë më vonë, EVN kumtoi se defekti në Sllupçan do të riparohet së shpejti pas marrjes së garancive nga ministri i Ekonomisë, i cili së bashku me kryetarin e Komunës së Likovës, u pajtuan me banorët që të mos i pengojnë ekipet e EVN-së të punojnë dhe të fillojnë projektin e rindërtimit të rrjetit dhe vendosjen e matësve të rinj. Këtë e konfirmoi edhe Ministri Kreshnik Bekteshi.

“Unë në mëngjes kam folur me kryetarin e Likovës, z.Erkan Arifi, me sa informacione kam, kryetari bën punë të shkëlqyeshme, duke folur me të gjitha vendbanimet, nëse duhet të ndihmojmë si ministri kuptohet se do të kyçemi, jo vetëm për rastin konkret por kudo në RMV, jemi këtu që t’u vijmë në ndihmë, por në pjesën e pagesës së rrymës, çdo qytetar, çdokush që furnizohet me rrymë në shtet, e ka për obligim të paguajë, siç është obligim i EVN-së që ta përmirësojë rrjetin që të gjitha vendbanimet në mënyrë të barabartë t’i marrin shërbimet e furnizuesit universal”, tha Bekteshi.

Bekteshi tha se humbjet nga vjedhja e rrymës në shumë vendbanime janë zvogëluar ndjeshëm dhe se ky trend do të vazhdojë edhe më tej.