Komisioni Rregullator për Energjetikë ka vendosur ulje të çmimeve të derivateve të naftës. Sipas vendimit të ri, çmimi i benzinës EUROSUPER BS-95 ulet për 3,5 denarë dhe do të shitet për 84 denarë për litër, ndërsa EUROSUPER BS-98 ulet për 4 denarë dhe do të kushtojë 86 denarë për litër. Çmimi i Dizelit ulet për 7 denarë për litër, duke arritur në 80,5 respektivisht, ndërsa vaji ekstra i lehtë do të shitet me çmim maksimal 79,5 denarë për litër. Ulje shënon edhe mazuti.
Ulja vjen si rezultat i rënies së çmimeve të derivateve në tregjet botërore, ku janë shënuar zbritje të konsiderueshme. E meqë kriza në Lindjen e mesme po përfundon dhe derivatet po lirohen, kryeministri Hristijan Mickoski, pret që kjo të reflektojë edhe në çmimet e ushqimeve. Për këtë sot takon përfaqësues të marketeve dhe distributorëve, për të cilët tha se e ka të qartë mesazhin që do t’ua përcjellë
“Po përfundon kriza. Qytetarët ishte tolerantë. Tani ata e kanë radhën t’ua kthejnë qytetarëve dhe menjëherë të veprojnë drejt uljes së çmimit të produkteve, veçanërisht produkteve ushqimore bazë. Këtë e pres nga ta. Gjithashtu ne si qeveri kemi mekanizma, nëse kjo ndodh, ndryshe ta zbatojmë këtë. Justifikime e arsyetime nuk pranoj, të tipit nuk na i ngritën, nuk na i ulën çmimet”, tha Hristijan Mickoski.
Do të bëhen krahasime se si janë çmimet e ushqimeve bazë tek ne dhe në rajon, dhe sipas kryeministrit, nëse në ditët në vijim nuk shohin ndonjë ndryshim tek çmimet, qeveria do të reagojë, edhe atë, siç tha, do të reagojnë në afatgjatë.
“Dhe disa markete, nëse është e nevojshme, edhe me emra e mbiemra publikisht që nesër do t’i publikojmë, e pastaj ua lëmë atyre…”, deklaroi Mickoski
