Na pret një dimër shumë i vështirë, pohon Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, duke paralajmëruar se në gusht do të kërkohet të shpallet gjendje krize në sektorin e energjisë që të mund të ndërhyhet me masa. Kufizime të rrymës nuk priten!
“A presim restrikcione?! Nëse gjithçka shkon sipas planit dhe në rast se nuk ka ndalesë të importimit të energjisë elektrike, kemi pasur shembull të tillë nga ana e Bullgarisë, e cila në periudha të caktuara, e ka ndalur importin e rrymës, atëherë nuk besoj se do të kishte restrikcione në shtetin tonë, por do të kemi dimrin më të vështirë, situata është aq serioze, e paparashikueshme që nuk varet vetëm nga RMV dhe shtetet e rajonit por edhe se si do të rrjedhë lufta në Ukrainë”.- deklaroi Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.
Në rast të ndalesës së plotë të gazit natyror, Bekteshi tha se po bëhen përpjekje për zgjidhje alternative me të cilat do të punojnë edhe ngrohtoret dhe kapacitetet energjetike, që industria dhe amvisëritë të mos mbeten pa rrymë.
“Në pjesën e alternativave në ligj parashihet të ketë energjenc tjetër përveç gazit natyror, por duke e pasur parasysh teknologjinë që e kanë kapacitetet tona, ngrohtoret dhe elektranat, nëse duhet të ndërrohen, nga gazi natyror mund të kalojnë vetëm në mazut. Ky është realiteti vë vendin tonë”.- tha Kreshnik Bekteshi.
Sa i përket përpjekjeve për furnizim me gaz natyror, Bekteshi thotë se gjithçka varet nga lëshimi i kapaciteteve nga Bullgaria dhe marrëveshja mes Bulgargastrans me Gazpromin.
“Nëse ato kapacitete lëshohen nga ana e Bulgargastrans, ne jemi të gatshëm të furnizohemi me gaz natyror nga burime të tjera, përfshirë edhe Azerbajxhanin por edhe terminalet LNG, qofshin në Greqi ose Turqi”.- pohoi Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.
Ministri i Ekonomisë tregoi po ashtu se Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka dhënë 100 milionë euro për likuiditetin e EMV-së në mënyrë që gjatë vitit të ketë fonde për të blerë energji elektrike nëse ka mungesë dhe për të blerë qymyr dhe mazut për objektet e prodhimit.
Bekteshi gjithashtu informoi se javën e ardhshme, në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”, në Tiranë do të zhvillohen takime pune me ministrat e Shqipërisë dhe Serbisë, ku do të diskutohen dhe propozohen masat për plotësimin e nevojave për ushqim dhe energji elektrike për qytetarët e vendeve të rajonit.
