Mustafa u takua me ambasadorin amerikan Frank Wisner

TË FUNDIT

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, gjatë qëndrimit në Vjenë, u takua me ambasadorin amerikan, mikun e madh të Kosovës, Frank Wisner, të cilin e falënderoi për mbështetjen e dhënë për shtetin e Kosovës.

Në një komunikatë të zyrës së Kryeministrit ku njoftohet për këtë takim thuhet se Mustafa i ka shprehur mirënjohjen e qytetarëve të Kosovës për kontributin që ambasadori Wisner dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë dhe po japin në vazhdimësi për Kosovën.

Ai, po ashtu e ka njoftuar ambasadorin edhe për progresin në Kosovë dhe fokusimin e Qeverisë së Kosovës në zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të punës si dhe reformat në shumë sektorë, me qëllim të përmirësimit të jetës së qytetarëve të Kosovës.

Në komunikatë thuhet po ashtu se Kryeministri ta ketë njoftuar ambasadorin Wisner edhe për progresin e Kosovës në proceset integruese euroatlantike si dhe në bashkëpunimin rajonal.

Ambasadori Frank Wisner vlerësoi lartë punën e deritashme të Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga kryeministri Mustafa, duke theksuar se Kosova po bën hapa të rëndësi shëm përpara.

Ambasadori Wisner vlerësoi edhe proceset e fundit të cilat janë adresuar nga Kosova, duke shprehur përkrahjen e mëtutjeshme të tij për Kosovën.