Pas deklaratave të ish-Shefit të SHIK’ut të Shqipërisë, Fatos Klosi, i cili ka thënë se me politikën e Rugovës kurrë nuk do të çlirohej Kosova, ka reaguar Kryeministri i Kosovës dhe njëherit kryetari i LDK-së, Isa Mustafa i cili ka deklaruar se Kosova nuk do të çlirohej po të varej nga shërbimet informative, siç ishte edhe SHIK-u shqiptar, sepse sipas tij, shërbime të tilla me sjelljen e tyre më shumë u kanë shërbyer regjimeve dhe Serbisë, vëllavrasjes e hasmërive të brendshme, sesa pavarësisë së Kosovës dhe interesave kombëtare.
Ai ka shkruar në rrjetin social ‘facebook’ se pa infiltrim dhe përzierje të SHIK-ut, UÇK do të ishte më unike dhe lufta do të ishte më e organizuar. Ndërkohë, Klosi ka thënë se Rugova kishte filozofi pa krye dhe i kishte bërë fyerje luftës së Kosovës në takimin me Millosheviqin.
Postimi i plotë i Mustafës:
“Kosova u çlirua, sepse pati në krye një burrështetas të urtë e të mençur, të respektuar brenda e jashtë vendit, Presidentin Ibrahim Rugova. Kosova nuk do të çlirohej kurrën e kurrës po të varej nga shërbimet informative, siç ishte edhe SHIK-u shqiptar, sepse shërbime të tilla me sjelljen e tyre më shumë u kanë shërbyer regjimeve dhe Serbisë, vëllavrasjes e hasmërive të brendshme, sesa pavarësisë së Kosovës dhe interesave kombëtare. Pa infiltrim dhe përzierje të SHIK-ut, UÇK do të ishte më unike dhe lufta do të ishte më e organizuar.
Sot na vjen keq kur shohim se nga një gojë e keqe e një kryespiuni, spërkatet figura e Ibrahim Rugovës. Një fjalë popullore thotë: arni për thesin. Spiunët arnohen me të tyret, por nuk arnohen me figurën e Ibrahim Rugovës,” shkruan Mustafa./ 21MEDIA
