Barrikadimi në qëndrime mes Qeverisë dhe partive opozitare sa vjen e thellohet edhe më shumë. Derisa, opozita nuk heq dorë nga kërkesa për tërheqje të nënshkrimeve nga marrëveshjet për Asociacionin dhe demarkacionin, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa edhe një herë ka shprehur qëndrimin e tij dhe Qeverisë që drejton se nuk do të ketë zmbrapsje nga marrëveshjet e arritura në Bruksel. Madje, ai tha se është i gatshëm që t’i përgjigjet Kuvendit për çdo punë që bënë Qeveria, por nuk është i gatshëm të pranoj ultimatume dhe kërcënime nga opozita.
Në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar, kryeministri Isa Mustafa në emër të Qeverisë shprehu keqardhje, për siç tha ai, qasjen destruktive dhe përdorimin e dhunës nga opozita ndaj institucioneve kushtetuese e ligjore të Kosovës.
Kreu i ekzekutivit, shprehu bindjen e tij se veprimet e fundit të partive opozitare nuk u shërbejnë interesave të qytetarëve të Kosovës, madje sipas tij, ato bien ndesh me interesat e tyre sepse ato veprime dëmtojnë Kosovën, imazhin e saj dhe të ardhmen e saj.
Ai ka kërkuar që të zhbllokohet Kuvendi i Kosovës në mënyrë që të vazhdojnë me përmbushjen e obligimeve që kanë marr para qytetarëve të Kosovës.
I pari i Qeverisë, theksoi se me procesin e bisedimeve në Bruksel, Kosova synon të përmbyll problemet me të ballafaqohet që prej përfundimit të luftës dhe të hap perspektiven e saj zhvillimore dhe integruese, prandaj çdo kërkesë ultimative për t’iu shmangur këtij procesi, e dëmton Kosovën dhe e cenon perspektiven e saj euroatlantike dhe partneritetin strategjik me SHBA-në, vendet e BE-së dhe vendet e tjera mbështetëse të li risë, pavarësisë dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës.
Mustafa ka kërkuar nga organet e rendit dhe drejtësisë t’i ndriçojnë të gjitha ngjarjet e fundit dhe të vendoset drejtësia në vend, sepse janë përcaktuar për Kosovën shtet ligjor dhe nuk do të ketë zmbrapsje nga ky qëllim.
Sipas tij, opozitës po i përgjigjet që të mbetet i pazgjidhur problemi i Kosovës, vetëm që vijnë në pushtet në mënyrë jo demokratike, duke kërkuar zgjedhje, pasi mendojnë se edhe zgjedhjet duhet t’i bëjnë me gaz lotsjellës.
Koalicionin qeverisës, Mustafa e ka vlerësuar si unik dhe të palëkundur. Sipas tij, koalicioni qeverisës nuk ka arsye të zmbrapset nga përgjegjësitë që ka marr për të udhëhequr vendin drejt të ardhmes.
Mustafa ka folur edhe për demarkacionin e Malin e Zi, duke thënë se territori i Kosovës do të jetë po ai me të cilin Kosova ka menaxhuar me kushtetutën e vitit 1974.
Mustafa bëri me dije se presin që në fund të këtij vitit, Kosova ta ketë datën për liberalizim të vizave, derisa janë duke punuar që ta transformojnë FSK-në në Forca të Armatosura të Kosovës.
Në këtë mbledhje, kabinetin qeveritar, ministri i Financave Avdullah Hoti e njoftoi lidhur me të hyrat buxhetore.
Hoti tha se kanë pasur një ngecje prej 14.5 për qind të të hyrave vetanake të komunave, si dhe nga dividenta e PTK-së, që është paraparë për këtë viti t’i marrin 30 milionë euro. Kabineti qeveritar miratoi edhe disa propozim vendime.
