Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa thotë se nuk ka asnjë arsye për grevë në arsim.
Madje sipas tij, nëse edhe më tutje do të vazhdoi greva atëherë ajo nuk do të mbahet më për paga, por mund të jetë një grevë që ka motive tjera politike. E sipas shefit të ekzekutivit, një gjë e tillë i bënë dëm arsimit dhe Kosovës në tërësi.
Kryeministri Mustafa tha se qeveria e ka përmbushë vendimin e saj duke i ngritë pagat nga muaji prill me 0.05 mbi bazën e përvojës së punës.
“Ata duhet t’i falënderohen edhe qeverisë së kaluar edhe kësaj qeverie që ka ndërmarrë çdo gjë që t’i plotësojmë kushtet e tyre. Dhe, nuk ka arsye kërkush që të bëjë grevë edhe më tutje. Në qoftë se edhe më tutje bëhet grevë, ajo grevë më nuk është për paga, nuk është për plotësimin e kritereve nga memorandum. Por, mund të jetë një grevë që ka motivacion tjetër politik dhe që I bënë dëme arsimit dhe Kosovës”, tha ai.
Mustafa insiston që nuk ka arsye për grevë. Ai tha se nuk mund të shlyejnë borxhet e 15 ose 20 viteve më parë.
“Unë nuk shoh asnjë arsye për grevë në arsim, nuk ka arsye, ata mund ta flasin çka të donë, mund të thonë që shteti na ka borgj. Në Kosovë gjithkush gjithkujt i ka borgj , mirëpo ne të gjithë I kemi borgj shtetit të Kosovës. Nuk mundemi tash me thënë hajde laj do borxhe para 15 vitesh, 20 vitesh, sepse atë nuk mund ta bëjmë, mirëpo ne po i lajm borxhet e tanishme sepse pagat në arsim janë konkurruese me pagat që I marrin arsimtarët e tjerë rajon që është një GDP shumë më e lartë për kokë banori sesa që është në Kosovë tek vendet e tjera.
Këto komente, kryeministri Isa Mustafa i bëri sot gjatë vizitës së tij, në Anamoravë.
