Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, thotë se ka marrë kërcënime nga ato seksuale, vrasje e deri te prerja e kokës me “sakicë”. Musliu beson se këto kërcënime vijnë nga militantët e Lëvizjes Vetëvendosje pas debatit që pati me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca gjatë diskutimin për 100-ditëshit e Qeverisë.
Ajo përmes një shkrimi në llogarinë e saj “Facebook” ka treguar se rastin e ka denoncuar në Polici, duke theksuar se beson fort në institucionet e Kosovës.
“Tashme me është konfirmuar se një person është intervistuar dhe është dërguar në mbajtje për 48 ore. Po ashtu më janë rekomanduar disa masa te cilat unë do t’i përfill me përpikmeri. Të dashur miq dhe në veçanti ju votues të mi qe ma konfirmuat 5 here rresht besimin tuaj, ju premtoj dhe ju garantoj se nuk ka njeri që me frikëson. Asnjë kërcenim nuk do te me ndale te mbroje integritetin tuaj, timin, te familjes sime, Partisë Demokratike dhe te Shtetit tim Kosovës. Askush dhe asgjë s’mund të me ndale nga përfaqesimi i besimit tuaj!
Ata që përmes rrjeteve sociale përhapin urrejtje dhe bëjnë thirrje për dhunë, do të përballen me organet tona të rendit dhe të sigurisë”, ka shkruar ajo.
