Muri mbështetës në Pinti ende i shembur! Rrëshqet dheu i shtëpive përreth, banorët druajnë nga më e keqja

TË FUNDIT

“Edhe pse kaluan disa muaj pasi u shemb muri mbështetës këtu në Pinti, deri më tani nuk është ndërmarrë asgjë. E vetmja gjë që është bërë është vendosja e një gardhi mbrojtës. Megjithatë, banorët kanë frikë se me çdo reshje më të rrëmbyeshme të shiut, do të shemben edhe shtëpitë e tyre“, raporton Svetllana Unkovska, gazetare TV21.

Askush nuk vjen, askush nuk ndërmerr asgjë, ankohet Ivanço Jordanovi, pronar i shtëpisë që gjendet pikërisht mbi pjesën e shembur të murit mbështetës. Thotë se gabimi është bërë kur është ndërtuar rruga e cila çon në lagjen Draçevë. Asokohe nuk dihej se çka do të bëhej me pjesën e lagjes Pinti, prandaj kanë vendosur të ndërtojnë një mur mbështetës, i cili që në fillin është ndërtuar keq dhe themelet e të cilit nuk ishin vendosur në tokë.

“Murin e vendosën në dy gradë. Një shkallë prej 120 e diçka centimetrave, e pastaj, pas një kohe të caktuar iu kujtua se muri është i ulët në krahasim me tokën dhe e mbindërtuan. E mbindërtuan për rreth 125 centimetra dhe erdhi në nivel prej dy metrave e gjysmë. Duke e parë murin rastësisht me një fqinj, rrinim pranë murit dhe e vëzhguam. Pamë se ka pjerrësi nga jashtë e jo në drejtim të tokës. E bënë rrugën, pastaj vendosën një themel jo të fortë. Domethënë ky mur, kjo peshë duhet të gërmohet poshtë, duhej të kishte një bazë“, tha mes tjerash Ivanço Jordanov, banor i lagjes Pinti.

Një pjesë e konsiderueshme e dheut tashmë është anuar drejt rrugës për më shumë se gjysmë metër. Ivanço ankohet se një pjesë e oborrit të tij po rrëshqet për poshtë dhe se shkallët që çojnë drejt shtëpisë tashmë janë ndarë. Nuk është optimist se së shpejti do të ndërmerret ndonjë hap. Ndihmë ka kërkuar edhe nga kryetari i Komunës Kisella Vodë, Orce Gjorgjievski, por, siç thotë, nuk e ka pranuar në zyrën e tij. Është skeptik se edhe kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska do të bëjë diçka.  

“Kryetari i komunës që në fillim nuk erdhi me ndonjë premtim të veçantë, por hidhërohej, do të shohim pse kështu, pse ashtu, kush ndërtoi, si ndërtoi. Unë shkova një herë që ta pyes se çfarë do të bëhet me këtë punë, por ai nuk më pranoi. Më pranoi një person tjetër pa asnjë premtim dhe tani po mendoj se kjo është puna e Qytetit të Shkupit. Është kot që unë të shkoj në komunë, mendohem a të shkoj ose jo, nëse shkoj vetëm do të bëhem nervoz. A është e sigurt? Jo, nuk është e sigurt. E shihni edhe vetë deri ku ka mbërritur, në dimër, me çdo shi kjo do të copëtohet dhe do të bjerë”, pohoi Ivanço Jordanov, banor i lagjes Pinti.

Pyetëm edhe kryetaren e Shkupit, Danella Arsovkën nëse planifikon të bëjë diçka për ta zgjidhur problemin e këtyre banorëve?

“Së pari atje duhet të bëhen analiza të caktuara se si në mënyrë më të mirë të rregullohet kjo, sepse ajo atje përsëri është pjesë e atyre dukurive devijuese, që është bërë pa asnjë dokumentacion projekti, pa asnjë plan dhe bile është bërë për të shkaktuar dëme të konsiderueshme, mos dashtë Zoti për jetën e dikujt, pronën e qytetarëve dhe për këdo që është rastisur atje në atë moment. Mendoj se kjo nuk duhet të përsëritet më. Atje do të ketë një zgjidhje, ajo zgjidhje do të planifikohet në mënyrë të duhur, do të bëhet siç duhet dhe do të jetë në interes të qytetarëve, pavarësisht se nuk është kompetenca jonë. Besoj se në interes të shkupjanëve, bashkë me Komunën Kisella Vodë do të kujdesemi që ky vend të jetë i sigurt dhe i kalueshëm për shkupjanët”, tha Danella Arsovska, kryetare e Shkupit.

Muri mbështetës në Pinti u shemb në maj të këtij viti, si pasojë e reshjeve të rrëmbyeshme të shiut. Ra edhe një pjesë të ndriçimit rrugor, pas çka kryetari i Kisella Vodës siguroi se do të ndërmerren masa për t’i sanuar pasojat.

error: Content is protected !!