Bojkoti i deputetëve të VMRO, LSDM dhe ZNAM bëri që të mos ketë kuorum në Komisionin për Politikë të Jashtme, duke pamundësuar miratimin e propozim-rezolutës për respektimin e standardeve të procedurave penale kundër ish-krerëve të UÇK-së, pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës. Në seancë ishin të pranishëm vetëm deputetët shqiptarë të pozitës dhe opozitës, si dhe një anëtar i partisë E Majta. Kryetari i komisionit Musa Xhaferi, tha se çështja është politizuar dhe se seanca e radhës shtyhet për afat të pacaktuar.
“Po merr kahje që një rezolutë për respektim të standardeve të drejtësisë, për një çështje kaq të ndjeshme ose një presedan që rrallë ndodh. Ka qenë Gjykata e Hagës ndërkombëtare e të tjerë, të politizohet aq shumë. Përsëri e them, i kisha lutur deputetët e VLEN-it, është me rëndësi se janë shqiptarë, të gjejnë procedura administrative dhe t’i bashkëngjisin nënshkrimet”, tha Musa Xhaferi, Kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme.
Merita Koxhaxhiku tha se deputetët e VLEN-it e mbështesin rezolutën dhe se kur ajo do të vijë në plenare do të votojnë pro.
“E shihni se jemi prezent ne deputetët e VLEN-it aq sa jemi në këtë komision. Të gjithë jemi këtu dhe e përkrahim rezolutën, në këtë komision e dini se jam vetëm unë anëtare, do ta vërtetojmë të njëjtën edhe me votat tona kur të vihet në seancë plenare. Pika për rezolutën do ti japim 11 vota të VLEN”, theksoi Merita Koxhaxhiku, Deputete e VLEN-it.
Rezolutë identike për krerët e UÇK deri më tani kanë miratuar Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë.
Sipas rregullores së Kuvendit, kryetari komisionit ka të drejtë të thirr sërish seancë, por në pritje të shtimit të pikave të tjera.
“Konsideroj që mungesa e anëtarëve maqedonas nuk është e rastësishme pasi që bëhet fjalë për një pikë mjaft të ndjeshme posaçërisht në raportin etnik në gjithë Ballkanin, nuk është vetëm për Maqedoninë e Veriut, nuk është vetëm për ne shqiptarët këtu. Mungesa e deputetëve-anëtarëve tjerë është e qëllimshme për ta sabotuar mundësinë e punës së komisionit me të vetmin qëllim që kjo pikë të mos vije në rend debati. Kjo është e organizuar mes tyre!”, u shpreh Skender Rexhepi, Deputet i FE.
Përveç kryetarit ky komision përbëhet nga 12 anëtarë dhe zëvendësit e tyre, as gjysma të pranishëm.
Deputetja Ilire Dauti, tha se sjellja injoruese e deputetëve që nuk ishin prezent aty, i detyron deputetët shqiptar tu bashkëngjitën rezolutave të Shqipërisë dhe Kosovës.
Ilire Dauti, Deputete e ASH së Selës (C0029/0.35-1.07)
“Bëhet fjalë për 1133 fëmijë të vrarë nga lufta shoviniste serbe që është zhvilluar në vitet 98-99, bëhet fjalë për rreth 20 mijë gra e vajza të përdhunuara, bëhet fjalë për 600 mijë persona të zhdukur që edhe sot e kësaj dite sipas të dhënave të fundit, 1,600 viktimave nuk e dinë as lule ku tu dërgojnë të afërmve të tyre, dhe ju kisha lutur që ta vendosim debatin tek çështja në fjalë.”
Si propozues të Rezolutës, nga FE theksuan se ky akt, riafirmon përkushtimin ndaj shtetit të së drejtës, pavarësisë së gjyqësorit dhe respektimin e plotë të të drejtave themelore të njeriut. Nëpërmjet kësaj nisme parlamentare kërkohet që proceset gjyqësore që po zhvillohen pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës të zhvillohen sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, duke garantuar prezumimin e pafajësisë, mbrojtjen efektive dhe gjykimin brenda një afati të arsyeshëm për të gjithë të akuzuarit.
Deputetët nënshkrues u bëjnë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit, pa dallim përkatësie politike, që t’i bashkohen kësaj nisme dhe ta mbështesin Rezolutën me votë.
