Mungojnë kontratat me fermerët! KMK zbulon parregullsi në disa qendra që blejnë fruta dhe perime

TË FUNDIT

Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës po vazhdon kontrollet në terren për zbatimin e Ligjit të ri për ndalimin e praktikave të padrejta tregtare. Gjatë inspektimeve në disa qendra grumbulluese të frutave dhe perimeve, janë konstatuar një sërë shkeljesh në marrëdhëniet mes blerësve dhe fermerëve.

Sipas Komisionit, kontrollet kanë treguar se disa kompani kanë blerë produkte bujqësore pa kontrata me shkrim, ndërsa në raste të tjera kontratat nuk kanë përmbajtur elementët e detyrueshëm të paraparë me ligj. Po ashtu, janë evidentuar edhe mospërputhje mes detyrimeve ligjore dhe kushteve të përcaktuara në kontrata.

Nga KMK thonë se këto parregullsi ndikojnë drejtpërdrejt në transparencën e tregut dhe në mbrojtjen e fermerëve, të cilët shpesh ndodhen në pozitë më të dobët në raport me blerësit e mëdhenj. Paralajmërojnë se do të vazhdojnë me mbikëqyrje dhe se ndaj subjekteve ku konstatohen shkelje do të ndërmerren masa dhe sanksione në përputhje me ligjin.