Për 5 vitet e ardhshme sektori i Teknologjisë informatike do të ballafaqohet me mungesë të mësimdhënësve cilësor të informatikës. Nga Shoqata e studentëve të elektroteknikes thonë se kuadrot e diplomuar të IT preferojnë të punojnë në sektorin privat sepse aty paguhen dyfish më shumë se rroga mesatare që marrin në arsim.
“Njëri nga problemet me të cilin për momentin ballafaqohet industria e Teknologjisë Informatike është mungesa e kuadrove. Sipas “Masit” vitin e kaluar janë regjistruar 400 IT kompani ndërsa në njëjtën kohë në të gjithë kampusin Teknik të Universitetit Shën Kirili dhe Metodi ka më pak se 500 student të cilët diplomojnë për inxhinieri informatike. Kuadrot në shkollat e mesme është e vështirë të ruhen sepse paga mesatare në industrinë e IT është dyfish më e madhe se sa paga mesatare në arsim, dhe vërtetë është problematike se pse dikush do të punonte në një shkollë të mesme kur mund të punojë në industrinë e IT”, theksoi Stefan Miteski nga Shoqata e studentëve të elektroteknikës.
Miteski tha se duhet të bëhen ndryshime në sistematizimin e profesorëve të informatikës. Ai tha se për të mbajtur kuadro cilësor nëpër shkolla të mesme duhet të bëhet rritja e pagave të tyre.
“Nuk them që nuk duhet t’u rritet rroga në të gjithë sistemin e arsimit por duhet të veçohet kjo industri e cila përfundimisht jashtë arsimit ka paga më të larta se të tjerat dhe duhet pak më ndryshe të vlerësohen dhe të bëhet sistematizim pak më ndryshe të këtij kuadri edhe në shkolla të mesme po edhe në fakultete, sepse gjithashtu edhe profesorët e universitar nuk marrin paga të larta”, u shpreh Stefan Miteski nga Shoqata e studentëve të elektroteknikës.
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror për Statistika, student të diplomuar në Fakultetin e Shkencave Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike pranë Universitetit “Kirili dhe Metodi” dhe në Universitetin e Tetovës gjatë vitit 2017 janë këto:
Universiteti Shën Kirili dhe Metodi
Fakulteti I Shkencave Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike
Të diplomuar 123 student
Universiteti i Tetovës
Fakulteti Matematiko-natyror
Të diplomuar 171 student
Ndryshe një IT i diplomuar, si profesor në një shkollë të mesme paguhet rreth 24 mijë denarë, ndërsa nëpër sektore private ata paguhen pothuajse dyfish më shumë.
Përgatiti: Valmira Zendeli
